Reagimi im ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme vjen si pasojë e përgjigjeve të paplota, shmangëse dhe fyese që ai dha në lidhje me rastet e rënda që kanë ndodhur së fundmi. Akoma më shqetësuese është vërejtja e tij se ne reagojmë vetëm kur cenohen interesat shqiptare.
Po, unë reagoj sa herë që cenohen interesat, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve, sepse kjo është detyra ime kushtetuese dhe politike si deputet. Çfarë pret Toshkovski nga unë – të hesht kur ka thirrje raciste, dhunë ndaj sportistëve shqiptarë, fyerje të flamurit kombëtar dhe mosndëshkim të përgjegjësve?
Në vend që të japë leksione politike, ministri duhet të japë përgjegjësi institucionale. Problemi nuk është reagimi ynë, por fakti se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të tolerojë raste të urrejtjes etnike dhe standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit.
Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet, por bashkëfajësi. Prandaj reagimet e mia do të vazhdojnë, sa herë që shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe sa herë që ligji zbatohet në mënyrë selektive.
Nëse ministri pret heshtje, gabon rëndë. Nga unë do të ketë gjithmonë reagim, zë dhe qëndrim të qartë në mbrojtje të së drejtës dhe barazisë.