Mallakastriotët luajnë mirë, krijojnë volum dhe raste, madje edhe dominojnë mbi kundërshtarët dhe ekipet kryesuese të elitës, por janë ende larg fitores. Bylisi ka dalë në stërvitje fill pas sfidës në Shkodër, ku mallakastriotët morën një pikë të çmuar por edhe i shkuan afër fitores me dy rastet e shpërdoruara të Koxhit dhe me Mustafanë.

Por fundjava ka qenë e mbingarkuar për klubin mallakastriot, pasi kanë luajtur të dielën, si skuadra U-19 në Laç ashtu edhe skuadra B që ka pasur një ndeshje mjaft të rëndësishme në Orikum me vendasit dhe 4-5 lojtarë kanë qenë me ekipin të angazhuar. Megjithatë, tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te sfida që mallakastriotët do të zhvillojnë me ekipin e Elbasanit në “Adush Muçaj”, takim që është menduar të zhvillohet në fundjavë, teksa ekipi B e ka pushim dhe të gjitha forcat janë të përqendruar te dueli me verdheblutë në “Adush Muçaj”.
Bylisi tashmë ka gjashtë javë pa fitore, teksa 3-pikë ka marrë në transfertën e luajtur në Tiranë, me bardheblutë, ndërsa ka arritur që më pas të marrë vetëm 3 barazime, ndaj Dinamos e Teutës në Ballsh dhe me Vllazninë në Shkodër. Dy javët e fundit janë sa delikate, aq edhe vendimtare sa i përket ecurisë së skuadrës mallakastriote, që pas Elbasanit këtë fundjavë, e mbyll në Vorë Vitin 2025 me duelet zyrtare. Ndaj edhe presidenca ka kërkuar nga Josa dhe stafi, por edhe nga lojtarët që të shtrëngohen dhe të bëjnë mbi maksimumin në dy duelet e fundit, në mënyrë që skuadra të rinj sa më shumë larg zonës së ftohtë të tabelës së renditjes.
STAFI-Ballshiotët kanë investuar shumë në vitet e fundit në staf, por edhe në akademi. Së fundmi është bërë pjesë e skuadrës Adriatik Faslli, ish-trajner moshash te Butrinti, por edhe trajner te sarandiotët në skuadrën e parë. Faslliu ka drejtuar edhe Turbinën në Kategorinë e Parë dhe dallohet ai mjaft kërkues dhe me grintë e ambicioz.
Ai debutoi si trajner në Orikum, në transfertën më delikate të skuadrës B, teksa mori një pikë të çmuar. Me ekipin B ka punuar edhe Arlindo Rustemi këtë periudhë, ndërsa duket se mallakastriotët zgjerojnë stafin dhe bëjnë një punë mjaft të mirë në aspektin e akademisë. Ekipi B në Kategorinë e Dytë synon ngjitjen në të Parën, kurse skuadra U-19 synon një tjetër trofe këtë sezon por edhe promovimi i shumë elementëve të talentuar që t’i shërbejnë skuadrës A dhe më pas të shiten.
PANORAMASPORT.AL