Aktivisti i njohur i kauzave të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka hyrë në garë për deputet, duke u mbështetur në një rrugëtim të gjatë aktivizmi në protesta dhe aksione për barazi, drejtësi dhe ndryshim shoqëror.
Kandidatura e Azemit është përkrahur publikisht nga aktivistja Mimoza Bushrani, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka rikujtuar angazhimin e përbashkët në protesta, në borë e shi, për kauza që ajo i cilëson të drejta. Sipas saj, ky angazhim i vazhdueshëm e ka formësuar Azemin si një zë të palëkundur kundër padrejtësisë.
Bushrani vlerëson se sot Egzon Azemi ecën përpara si kandidat për deputet me të njëjtin guxim dhe vendosmëri që e ka karakterizuar edhe në aktivizëm, duke përfaqësuar zërin e qytetarëve që nuk pranojnë kompromis me padrejtësinë dhe kërkojnë ndryshim të vërtetë.
Në postimin e saj, ajo u bën thirrje qytetarëve për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhje, duke theksuar se vota është mjet për ta shndërruar zërin qytetar në vendimmarrje institucionale. Lëvizja Vetëvendosje garon me numrin 116, Albin Kurti me numrin 1, ndërsa Egzon Azemi me numrin 57 në listën zgjedhore.