Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj premtimeve të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, për rritje të pagave dhe pensioneve, duke i cilësuar ato si të parealizueshme pa miratimin e Ligjit të Buxhetit.
Në një postim publik, Murati thekson se PDK-ja nuk e ka votuar Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke vënë në rrezik stabilitetin financiar të shtetit.
Sipas tij, pa një buxhet të miratuar, çdo premtim për rritje pagash dhe pensionesh mbetet vetëm deklaratë politike.
“Për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar,” shkruan Murati, duke shtuar se ka pritur që PDK-ja, me Bedri Hamzën në krye – ish-ministër i Financave – të reflektonte dhe ta votonte buxhetin, duke e ditur rëndësinë jetike të këtij ligji.
Ai kritikon ashpër qëndrimin e partisë opozitare, duke thënë se pavarësisht ndërrimit të kryetarit, PDK-ja nuk ka ndryshuar sjellje dhe se, sipas tij, për interesa partiake është e gatshme ta çojë shtetin “buzë kolapsit financiar”.
Reagimi i Muratit vjen në kohën e intensifikimit të deklaratave politike lidhur me programet ekonomike dhe sociale, në prag të fushatës zgjedhore.
Postimi i plotë:
Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve.
Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar.
Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e ditur se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti.
Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar.