Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për popullin e Gazës ka mbërritur me sukses në destinacion dhe tashmë ka nisur shpërndarja e saj.
Sipas Gërvallës, dërgesa në vlerë prej 500 mijë euro përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, të cilat po shpërndahen për familjet në nevojë përmes partnerëve humanitarë në terren.
Ajo theksoi se ndonëse kjo ndihmë nuk mund ta zëvendësojë humbjen dhe dhimbjen me të cilën po përballen qytetarët e Gazës, synimi është që të ofrohet sadopak mbështetje dhe lehtësim, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, në kushte ku mungojnë edhe nevojat më bazike.
Ministrja Gërvalla shprehu gjithashtu mirënjohjen e saj për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, duke i falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur realizimin e këtij operacioni humanitar.