Ish-ministri i Brendshëm dhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, ka mohuar akuzat e përfshira në raportin e Ministrisë së Brendshme, i cili dyshon për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në një deklaratë për “Lokalno”, Spasovski tha se nuk është i befasuar nga, siç i quajti ai, “metodat e njohura politike”.
“Nuk ka asgjë të re. VMRO-DPMNE sa herë ka nevojë të zhvendosë vëmendjen nga skandalet e qeverisë, përdor të njëjtat taktika. Kjo është një përpjekje klasike për persekutim politik, për të larguar fokusin nga çështjet më të rëndësishme: tragjedia në Koçan, emigracioni, krimi dhe gjendja ekonomike”, tha deputeti.
Ai shtoi se ka “një dilemë personale”, nëse akuzat lidhen me performancën e tij si ministër apo me angazhimin aktual në opozitë.
Ministria e Brendshme njoftoi sot se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit, duke pretenduar se Spasovski, gjatë vitit 2021, ka keqpërdorur detyrën dhe ka mundësuar përfitime të paligjshme pasurore për një kompani të inspektimit teknik në Saraj, në vlerë prej rreth 5.5 milionë denarësh.(INA)
The post Spasovski: Pse pushteti po merret me mua, ku e ka qëllimin? appeared first on Open-Tv.