September 1, 2025
maqedoni-BE-780x439-1-1.png


Me Vendim  të Komisionit Evropian për zbatimin dhe miratimin e lirimit të parë të mjeteve për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, u miratua pagesa e parë e mjeteve për vendin tonë.

Me këtë Vendim, informoi sot Ministria për Çështje Evropiane, janë miratuar neto shuma prej rreth 2.3 milionë euro si ndihmë e pakthyeshme, dhe si shumë neto prej rreth 2 milionë euro si huamarrje, të cilat do të jenë të disponueshme përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, dhe shuma neto prej rreth 3.7 milionë euro, që përfaqëson pjesën e mbetur të huamarrjes të dedikuar për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore. Në këtë shumë nuk janë përfshirë rreth 3.6 milionë euro, të cilat janë të dedikuara për shlyerjen e një pjese të mjeteve të cilat shteti i ka arkëtuar më parë si parafinancim.

Mjetet janë siguruar pas dorëzimit të Kërkesës nga ana e ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili, si koordinator nacional për Instrumentin për reforma dhe rritje, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa përmes Ministrisë për Çështje Evropiane, e dorëzoi të gjithë dokumentacionin për hapat nga Agjenda reformuese 2024–2027, me afat të realizimit deri në dhjetor të vitit 2024 (respektivisht deri në shkurt të vitit 2025).

Kërkesa përfshinte reformat në më shumë fusha. Në fushën e menaxhimit të financave publike ishin paraparë ndryshime ligjore për menaxhim buxhetor më efikas dhe më transparent. Në fushën energjetikë u krijuan struktura të reja menaxhuese për zbatimin e planit për tranzicion të drejtë. Në fushën e mjedisit të biznesit u vendosën rregulla të reja për pavarësi në menaxhimin me kompanitë shtetërore. Në fushën e sundimit të ligjit u parashikuan masa për plotësimin e rregullt të pozicioneve të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë në përputhje me projeksionet afatgjata të këshillave kompetent.

“Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, plotësisht janë realizuar dy hapa: sjellja e Ligjit për Kontroll të Brendshëm Financiar Publik dhe ndryshimet e Ligjit për Shoqatat Tregtare. Kjo paraqet 40 për qind të realizimit të hapave, gjegjësisht 50 për qind në raport me mjetet. Për hapat e mbetur, Komisioni konstatoi se nuk janë realizuar plotësisht dhe për to është paraparë periudhë shtesë (grace period) deri në 24 muaj, përkatësisht deri në muajin dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se shteti ka kohë shtesë për realizimin e tyre dhe për lirimin e mjeteve të mbetura nga mjetet e përgjithëshme të alokuara, të cilat arrijnë një shumë prej rreth 17,1 milionë euro”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për Çështje Evropiane.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *