
Postuar: Gusht 22, 2025 | 11:36
Në Spanjë, lojtarët e futbollit janë gati të refuzojnë “Planin e Majemit ” të La Ligës. Sindikata AFE u takua me të gjithë kapitenët e Divizionit të Parë për të diskutuar iniciativën e Havier Tebas për të zhvendosur ndeshjen Vijareal-Barcelona në Shtetet e Bashkuara.Rezultati ishte një votë unanime nga të gjithë lojtarët për të refuzuar të luajnë në Shtetet e Bashkuara dhe për të kërkuar “transparencë” përballë refuzimit të punëdhënësve të tyre për t’i informuar ata për planin. “Kjo është mungesë respekti ndaj lojtarëve të futbollit”, thanë ata në një deklaratë e cila u raportua nga gazeta spanjolle “Diario AS”.
Ndeshja e javës së 17-të e Vijareal kundër Barcelonës është planifikuar për më 20 dhjetor. 20 kapitenët e ligës së parë u takuan për më shumë se një orë me drejtuesit e sindikatës AFE, dhe secili foli dhe mbrojti kundërshtimin e tij ndaj projektit të La Ligas. Arsyeja kryesore ishte mungesa e konsideratës së treguar nga menaxhmenti, i cili refuzoi t’i informonte ata për projektin. Ata vendosën unanimisht të thoshin “jo”. Një lloj “nëse nuk na informoni, ne nuk do të luajmë”.
AFE, në një deklaratë, vuri në dukje gjithashtu refuzimin e LaLigas për të dhënë informacionin e kërkuar më parë nga lojtarët: “La Ligas iu kërkua një raport përshkrues me të gjitha detajet, në mënyrë që të informonte lojtarët dhe të mblidhte mendimet e tyre. Në përgjigjen e saj, shoqata mohoi çdo përgjegjësi për parashikimin e planit dhe u zotua vetëm të jepte informacion mbi progresin e procesit të autorizimit.”
“Duke pasur parasysh këtë situatë, ne besojmë se, për shkak të mungesës së dialogut dhe informacionit të ofruar lojtarëve, inicimi i procesit të një projekti të promovuar nga Liga dhe të miratuar pa asnjë informacion nga Bordi i Drejtorëve të RFEF është mungesë respekti ndaj lojtarëve, pasi kjo përfshin ndryshime në nivelin sportiv dhe zhvendosjen e punëtorëve jashtë territorit kombëtar brenda një lige kombëtare”, shtoi deklarata e lojtarëve.
PANORAMASPORT.AL
