
Nën udhëheqjen e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është zhvilluar takimi i parë i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në takim, KOK u përfaqësua edhe me sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti dhe nënpresidentin Milaim Kelmendi, komuna e Prishtinës me kryetarin Përparim Rama dhe përfaqësuesin Vllaznim Osmani, MKRS me Fidan Shatrin, u.d. drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Sport dhe Atifete Jakupaj.
Në këtë mbledhje u diskutua për hapat e parë drejt organizimit të ngjarjes më të madhe sportive që do të mbahet ndonjëherë në Kosovë. Në rend dite ishin prezantimi i anëtarëve të komitetit organizativ, udhëzimet e para të ardhura nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), si dhe obligimet që burojnë nga marrëveshja e qytetit mikpritës.