
Të mërkurën (13 gusht), fituesi i Ligës së Evropës, Tottenham Hotspur, do të përballen me kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, në Udine të Italisë.
Superkupa e parë zyrtare e UEFA-s u zhvillua në vitin 1974 dhe prej atëherë është kthyer në një traditë të përvitshme para nisjes së sezonit të ri.
Real Madridi mban rekordin me gjashtë trofe, i ndjekur nga Milani dhe Barcelona me nga pesë, ndërsa Liverpooli ka katër tituj.
Aktualisht, gara zhvillohet në një ndeshje të vetme në një stadium neutral, mes fituesve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Kampionëve.
Në rast barazimi pas 90 minutash, trofeu vendoset direkt me gjuajtje penalltie, pa kohë shtesë.
Megjithatë, sipas “The Telegraph”, UEFA po shqyrton mundësinë që Superkupa të shndërrohet në një turne me katër skuadra duke filluar nga sezoni 2026/27. Turneu mund të zhvillohet edhe jashtë Evropës, përfshirë vende në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara.
Një ide e tillë u diskutua edhe në vitin 2022, kur UEFA po planifikonte shitjen e të drejtave televizive për ciklin 2024-27, duke e parë këtë event si një “turne hapës” përpara Ligës së Kampionëve.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka pranuar se është shqyrtuar edhe mundësia e zhvillimit të ndeshjeve të Champions League jashtë Evropës.
“Është e mundur”, deklaroi Ceferin për Men in Blazers. “Ne filluam diskutimet, por më pas patëm Kupën e Botës. Futbolli është shumë popullor në Shtetet e Bashkuara këto kohë. Amerikanët paguajnë për më të mirën dhe nuk pranojnë asgjë më pak. Ata ndjekin futbollin evropian njësoj siç evropianët ndjekin NBA-në”.
Ai shtoi se tregu amerikan paraqet mundësi të mëdha për të ardhmen, veçanërisht për shkak të qasjes më të avancuar në komercializim krahasuar me Evropën.
Në versionin e ri të formatit, do të ketë dy gjysmëfinale dhe një finale. Edhe pse propozimi i mëparshëm u hodh poshtë, ai mund të rishfaqet përpara hapjes së garës për të drejtat e reja televizive.
Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka miratuar planin për zhvillimin e një ndeshjeje të La Ligës mes Barcelonës dhe Villarrealit në Miami, në dhjetor 2025.
Tani, RFEF do të kërkojë miratimin e FIFA-s dhe UEFA-s për ta zhvendosur sfidën në stadiumin “Hard Rock”.