
Pas dy ditëve punë dhe ndërprerje të plotë të furnizimit me ujë, është sanuar defekti i një prej gypave më të mëdhenj të ujësjellësit me madhësi prej F400 në Tetovë. Nga ndërmarrja komunale për ujësjellës pohojnë se tani furnizimi me ujë është normalizuar dhe ka 400 litra ujë në sekondë.
“Pas punës intensive dhe të vazhdueshme, ekipet e NPK “Sharr” e sanuan me sukses defektin e linjës së vjetër të ujësjellësit F400. Falë përkushtimit të punëtorëve tanë, furnizimi me ujë në qytet është normalizuar tërësisht dhe sërish arrin kapacitet prej 400 litrave në sekondë. U kërkojmë falje qytetarëve për shqetësimet e shkaktuara gjatë ndërprerjes dhe ju falënderojmë për durimin dhe mirëkuptimin që e treguat në këtë periudhë, kumtoi NP “Sharr”.
Kryesia i bëri falënderim të veçantë punëtorëve, të cilët, edhe përkundër temperaturave të larta dhe kushteve të rënda, dhanë përpjekje maksimale për zgjidhje të shpejtë dhe efikase të problemit.