Kryeministri në detyrë i Kosovës ka shpërndarë një mesazh të ngrohtë mirëseardhjeje për mërgatën shqiptare përmes një postimi në Facebook, duke vlerësuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në jetën dhe zhvillimin e vendit.
“Mirëpresim çdo vit, përherë e më shpesh, më shumë se një herë brenda vitit, edhe në Kryeministri,” ka shkruar ai, duke shprehur mirënjohjen për vizitat e bashkatdhetarëve nga diaspora.
Ai ka theksuar se Kosova ka gjithmonë nevojë për mërgatën, jo vetëm si mysafirë që vizitojnë vendin për të shuar mallin, por edhe si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes. Kryeministri ka bërë një dallim të qartë në mënyrën se si shihet sot diaspora: “Nuk flasim më për ‘trurin që ikën’, por për zemrën që nuk harron.”
Postimi përfundon me një mesazh të ngrohtë dhe përfshirës:“Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit. Mirë se vini në shtëpinë tuaj, jemi me fat që ju kemi, e ju paçim gjithmonë!”, ka shkruar tutje Kurti.