
Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, rikthehet këtë vit në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, por jo si konkurrente – këtë herë ajo mban një rol krejtësisht të ri dhe shumë të rëndësishëm: atë të drejtoreshës artistike të edicionit të 63-të të festivalit
Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, i cili u shpreh se prania e Elhaidës në këtë rol përfaqëson një vlerë të shtuar për festivalin më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. “Ardhja e Elhaidës është një lajm i shkëlqyer për mua, stafin dhe të gjithë publikun… Ajo do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin,” tha Peza, duke shtuar se Elhaida do të bashkëpunojë ngushtë me Bojken Lakon – drejtorin artistik të edicionit të kaluar, i cilësuar ndër më të mirët në historinë e RTSH-së.
Për vetë Elhaidën, ky është një angazhim emocional dhe profesional: “Unë kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së. E di rëndësinë që ka ky festival për artistët shqiptarë dhe do të jap më të mirën time jo vetëm për këtë edicion, por edhe për ato në vijim”, u shpreh ajo. Elhaida tha se synimi kryesor është ndërtimi i një ekipi profesional dhe i përkushtuar për të sjellë një edicion dinjitoz dhe përfaqësues për muzikën shqiptare.