
Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, ndodhi një skandal i rëndë me tone të theksuara nacionaliste dhe anti-shqiptare, shkruan Flaka.
Në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror, në tribunat e palestrës u dëgjuan kore fyese ndaj shqiptarëve.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” — ky ishte refreni i thirrjeve që u dëgjuan qartë nga një pjesë e tifozëve në podium, ndërsa autoritetet e pranishme nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndalur gjuhën e urrejtjes.
Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes. Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin që ka shkaktuar shqetësim dhe indinjatë në opinion.
Ky akt ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale, ndërsa pritet që komuniteti shqiptar dhe faktorët ndërkombëtarë të kërkojnë përgjegjësi për tolerimin e gjuhës së urrejtjes në një aktivitet zyrtar sportiv. Flaka
Foto e marrë nga profili i Hristijan Mickoskit