August 2, 2025
PDal.jpg


Partia Demokratike dega Sarandë ka reaguar sot publikisht në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak për dhënien e 60 hektarëve tokë në zonën e Nivicës, tokë e cila është objekt kontestimi nga banorët vendas dhe për të cilën po zhvillohen procese gjyqësore.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD Sarandë shprehet se është “qartazi dhe pa asnjë ekuivok kundër rrëmbimit të tokave publike dhe private në favor të oligarkëve”, duke theksuar se ky është kthyer në një model të përsëritur nga pushteti lokal dhe qendror.

Kryetari i PD Sarandë, Shpëtim Ahmeti, ka qenë i vetmi përfaqësues i opozitës që mori pjesë në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak. Ai është solidarizuar me protestën e banorëve të Nivicës para bashkisë dhe ka kërkuar që ata të kishin të drejtën e fjalës në mbledhje. Kërkesa e tij u rrëzua nga shumica në këshill.

“Askush nuk duhet të ketë frikë nga fjala e lirë. Banorët e Nivicës kanë të drejtën të dëgjohen dhe të mbrojnë pronat e tyre”, – është shprehur Ahmeti gjatë mbledhjes, ku gjithashtu refuzoi të bëhej pjesë e vendimmarrjes.

Partia Demokratike ka sqaruar gjithashtu se këshilltarët bashkiakë që mund të figurojnë në lista si përfaqësues të PD-së janë pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, si pasojë e situatës së ndërlikuar në zgjedhjet lokale të vitit 2023, dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin politik apo institucional të PD-së.

“Partia Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesit publik, të drejtës së pronës dhe të zërit qytetar. Ne nuk do të pranojmë asnjë vendim që shkel interesin e banorëve dhe favorizon klientelizmin e pushtetit”, – përfundon deklarata.

Çështja e 60 hektarëve në Nivicë ka ndezur debate të forta, mes akuzave për favorizim të interesave private dhe përpjekjeve për uzurpim të tokës në kundërshtim me ligjin. Banorët e zonës paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse vendimi nuk tërhiqet.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *