
Prej kohësh, në rrjetet sociale dhe mediat rozë, është përfolur një romancë e mundshme mes dy prej emrave më të njohur të showbizit shqiptar: Xhensila Myrtezaj dhe Ledri Vula.
Dyshimet kanë lindur nga afrimiteti i dukshëm mes tyre gjatë bashkëpunimeve muzikore, koncerteve dhe paraqitjeve publike.
Të dy artistët janë tërheqës, të dy janë të ndarë nga partnerët e tyre të mëparshëm dhe secili ka fëmijë, gjë që ka shtuar kuriozitetin dhe dyshimet e ndjekësve për një lidhje të mundshme.
Por pavarësisht gjithë zhurmës mediatike, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar ndonjëherë publikisht një lidhje romantike.
Në fakt, së fundmi, një detaj interesant është bërë publik nga gazetari Elton Tozaj, i cili ishte i ftuar në një program në MCN TV.
Gjatë intervistës, Tozaj tregoi një episod të ndodhur vetëm një ditë më parë. Ai rrëfeu se ishte në makinë me Xhensila Myrtezajn dhe motrën e saj, ndërsa po shkonin për të konsumuar një drekë së bashku.
Në atë moment, gazetarja që po e intervistonte aktualisht e kishte telefonuar për ta ftuar në emision dhe i kishte thënë se një nga temat që do të diskutoheshin do të ishte edhe romanca e përfolur e Xhensilës me Ledrin.
Por telefoni i Eltonit kishte qenë në “loud speaker”, ndaj edhe Xhensila e kishte dëgjuar bisedën.
Reagimi i saj ka qenë i menjëhershëm dhe i qartë: “O Zot, më çmendën”, – ishte komenti i saj i lodhur nga spekulimet e vazhdueshme.
Më tej, gazetari Elton Tozaj u shpreh se mes Xhensilës dhe Ledrit nuk ka asgjë më shumë se një miqësi e mirë dhe respekt profesional. Sipas tij, të gjitha thashethemet që kanë qarkulluar nuk janë të bazuara në fakte konkrete.
Ky sqarim vjen në një kohë kur fansat dhe ndjekësit vazhdojnë të ndjekin çdo lëvizje të artistëve të tyre të preferuar, duke e ushqyer më tej zërin për një romancë të mundshme.
Megjithatë, deri më tani, vetë protagonistët e kësaj historie nuk kanë konfirmuar asgjë dhe mesa duket, as kanë ndonjë qëllim për ta bërë një gjë të tillë.