
Skuadra suharekase, Ballkani, ka siguruar kualifikimin në rrethin e katërt të parakualifikimeve për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke eliminuar ekipin maltez Floriana me rezultat të përgjithshëm 5-3.
Pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë në shtëpi, Ballkani udhëtoi në Maltë me një epërsi të mirë, por përballja e kthimit nuk ishte aspak e lehtë. Ndeshja nisi me dominim të skuadrës suharekase, e cila krijoi disa raste të mira shënimi, por mungesa e konkretizimit i la pa gol në pjesën më të madhe të fraksionit të parë.
Në anën tjetër, Floriana u tregua më kërkuese dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 38-të, kur Dunstan Vella shënoi për 1-0. Megjithatë, gëzimi i vendasve nuk zgjati shumë. Në fund të pjesës së parë, konkretisht në minutën 45+1, Adetunji reagoi për Ballkanin, duke barazuar rezultatin në 1-1 dhe duke rikthyer qetësinë në radhët e ekipit të Ilir Dajës.Pjesa e dytë solli një lojë më të balancuar, por pa gola nga asnjëra palë. Ballkani u përqendrua në menaxhimin e rezultatit, duke mbrojtur epërsinë prej dy golash nga ndeshja e parë dhe duke mbyllur sfidën me sukses.
Me këtë rezultat, Ballkani avancon në rrethin e katërt të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Shamrock Rovers. Skuadra irlandeze ka treguar formë të mirë, duke e mposhtur St Josephs me rezultat bindës 4-0, çka pritet të jetë një sfidë e vështirë për skuadrën kosovare.