
Në zemër të Çairit,
Jo si ministër. As si ish-kryetar. Por si biri i Çairit. Si një njeri që këtë tokë e ka në gjak. Në shpirt.
Çairin nuk e kam njohur. E kam jetuar.
Këtu më lidhet kujtesa. Këtu më preket zemra. Çdo herë që shkel në Çair, ndiej një zë brenda vetës, që më kujton kush jam dhe nga vij. E ndiej Çairin në frymëmarrje, në ecje, në heshtje.
Kam ecë në çdo rrugë e çdo rrugicë të Çairit, aty ku hapat nuk humbin, sepse çdo qoshe flet gjuhën time.
Kam parë zejtarin që e punon drurin me dorën e vet, siç ështe pasuri e trashëguar brez pas brezi. Kam ndaluar pranë dyqaneve të arit, ku shkëlqimi nuk është vetëm i floririt, por i mjeshtërisë dhe shpirtit tonë punëtor.
Kam ndier erën e kadaifit në mëngjes, të përzier me aromën e kafes që zjen në xhezve. Kam parë burrat që s’flasin shumë, por kur flasin, fjala u ka peshë. Kam parë nënat tona që mbajnë shporta me ushqim, por mbi supe mbajnë një jetë të tërë.
Kam parë fëmijë që ngrihen herët për në shkollë, me çantat më të mëdha se trupat e tyre, por me sytë plot dritë. I kam parë si rriten dita-ditës, si mësojnë, si ëndërrojnë, edhe kur s’kanë shumë. Kam parë mësues që japin me shpirt, edhe kur s’kanë kushte, por kanë mision.
Kam parë Çairin në iftarët e Ramazanit, kur aroma e çorbës përhapej nga shtëpia në shtëpi, dhe ezani dukej sikur vinte nga vetë zemra e lagjes. Kam parë njerëz që ndajnë kafshatën, që falen krah për krah, që e ndiejnë Zotin bashkë. Kam parë lagjen time që i përket një shpirti të përbashkët: që ndan, që fal, që lutet bashkë.
Kam parë dasma që shpërthenin me daulle. Kam parë rrugë që gëlonin me valle e këngë. Kam parë flamuj që valojnë lart, në çdo festë tonën. Kam parë fëmijë që mësojnë për Skënderbeun me zë të lartë, me krenari në sy. Kam parë lagjen që zgjohet me 28 Nëntor si të ishte ditëlindja e saj.
Në çdo qoshe ka një tregim. Në çdo mur ka një emër. Në çdo sokak dëgjon një gjuhë që s’u përkul kurrë.
Kam parë gjithçka. Dhe e kam ndier thellë.
Kam ndier dhimbjen e tij. Kam ndier gëzimin e tij. Kam ndier zemrën e tij. Sepse këtu janë rrënjët e mia. Këtu janë hapat e mi. Këtu kanë jetuar e janë ndarë nga kjo botë gjyshërit e mi. Ata që më mesuan se duhet jetuar pa fjalë, por me punë. Me mund. Me nder.
Çairi për mua është frymëmarrje. Çdo gur e çdo mur këtu më njeh. Kam qeshur këtu. Kam jetuar këtu. Jam rritur. Jam formuar. Jam ky, falë Çairit.
Për mua, Çairi është zemra që rreh fort. Është busulla ime.
Prandaj, unë nuk bëj politikë për Çairin. Unë jetoj me të. Dhe derisa të kem zë, do flas për të. Derisa të kem forcë, do punoj për të.
Sepse për Çairin nuk mjafton të duash. Duhet të jesh. Duhet të ndjesh. Duhet të japësh. Duhet të jetosh për të. Me zemër. Pa kushte. Siç jepet për shtëpi. Siç ruhet gjaku. Siç mbrohet nderi.
Çair, ti do të ndriçosh si zemra jote: fort, bukur, e krenar.

The post Izet Mexhiti: Unë, bir i Çairit! appeared first on Open-Tv.