July 22, 2025
PARTIZAANII.jpg


Partizani eliminohet në turin e parë të Ligës së Konferencës. Fakt është se largimi në këtë fazë ndodh për herë të dytë në katër vite, me rezultat minimal ndaj një rivali më pak të vlerësuar. Humbja ndaj Kaljus me rezultatin 0-1 në “Air Albania” tregon se të kuqtë nuk ishin gati për fillimin e sezonit.PARTIZAANIICilët ishin faktorët që çuan në këtë dështim? “Panorama Sport” ju sjell një analizë të asaj çfarë ka ndodhur, që pas përfundimit të kampionatit. Shumë më tepër largime se afrime, bënë që edhe dëmtimeve e mungesave t’u shtohej pesha. Për Partizanin është trumbetuar se shkon me vlerë shumë më të lartë se Kalju, kur në fakt diferencat në treg të lojtarëve të gatshëm nuk ishin thuajse aspak të përfillshme. Më saktë, vlera e gjithë skuadrës së Partizanit në “Air Albania” nuk i kalonte 3.5 milionë euro në tregun e “Transfermarkt”. Në anën tjetër, Kaljus ishte ekzaktësisht 3 milionë euro, që përkon edhe me të gjithë skuadrës. Për më tepër, estonezët e kishin 125 mijë euro më të lartë vlerësimin e stolit. Kompanitë e basteve kuotonin më mirë Partizanin, por duke marrë parasysh edhe dominimin e Kaljus në ndeshjen e parë, mund të thuhet se të kuqtë u mbivlerësuan me realitetin në fushën e blertë.

PARA NDESHJES- Gega e kishte paralajmëruar disi çfarë do të ndodhte duke treguar mangësitë. Partizani duhet ta zgjidhte ndeshjen brenda 90 minutave ose më pas nuk do të ishte ai favoriti. “Keko është dëmtuar dhe nuk di si do shkojë fati i tij, nuk është se kthen kokën mbrapa dhe shikon pankinë të mbushur plot. Patjetër janë lojtarë të rinj dhe kanë nevojë për mbështetje, por jo t’i ngarkosh më tepër, për moshën dhe këto”, u shpreh Gega. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Nëse trajneri i Kaljus, Nikita Andrejev, shfaqej optimist për ta zgjidhur ndeshjen pa nevojën e penalltive. E njëjta atmosferë nuk shfaqet plotësisht edhe te Partizani.

PROBLEMET- Partizani largoi thuajse një skuadër pas sezonit pa trofe. Domgjoni, Osmanllari, Mintongo, Taipi, Eleke, Padstrelau, Vujnoviç, Piloto, Shala dhe Zeka ndanë rrugën me kryeqytetasit. U afruan Skuka, Isgandarli, Martinez dhe Garsia, që nuk ia dolën të mbulonin mangësitë. Si të mos mjaftonin largimet, te Partizani kishte edhe dëmtime. Kështu Ismaili dhe Janjeva nuk ishin të gatshëm për pjesën tjetër të skuadrës. Gropa u kthye e madhe kështu, sidomos në mesfushë. BINTSUKA- Gega shkoi në Europë me skuadër të cunguar. Një nga mungesat më të rëndësishme, lojtar që humbi mundësinë të tregonte potencialin në Europë, është Arshonzh Bintsuka. Sulmuesi kongolez ka rinovuar me Partizani në qershor, megjithatë akoma nuk ndodhet në Tiranë. Vlera e tij është 300 mijë euro në treg ose ndryshe më i vlerësuari i sulmit për Partizanin. Gega nuk e kishte në dispozicion një lojtar të tillë dhe kjo nuk është pak. Sidomos në situatën ku nga stoli asnjë sulmues nuk premtonte gola.

NDRYSHIMET DHE NDIKIMI I STOLIT- Gega e kuptoi se Partizani çaloi në ndeshjen e parë. Nëse nuk do të ishte për meritën e Skukës, edhe sfida në Talin mund të ishte humbur. Për këtë vendosi të kryente disa ndryshime. Tekniku tropojan uli në stol Koten duke kthyer Mehmetin në mesfushë, për ndeshjen vendimtare. Vendin e tij e mori Bytyçi në mbrojtje. Në sulm debutoi Isgandarli, që kishte humbur ndeshjen e parë dhe të gjithë kishin varur shpresat. Në fakt, një rast i humbur në minutën katërt, vetëm sa duhet të kishte shtuar motivimin e skuadrës për të shtyrë më tepër përpara. Nga skema 4- 3-3, Partizani luajti me 4-2- 3-1 ku peshën kryesore të sulmit e kishte kapiteni Skuka. Mungesa e Kekos për shkak dëmtimi, peshonte si e Isgandarlit në transfertë. Kalju nuk i kishte këto probleme aspak. Kalju nuk vuante nga mungesa të ngjashme me ato që dallonin te Partizani. Për këtë pas penalltisë së humbur nga Skuka, reagimi i tyre ishte dinjitoz, ndryshe nga Partizani ku thuajse u dorëzuan të gjithë. Edhe pse mund të kishin mbetur 40 minuta, siç u luajtën, Partizani u duk se e dorëzua. Ndoshta duke marrë parasysh dhe forcën e mbetur. Kalju e pati goditjen e parë në portë, kur regjistrohej minuta e 89-të. Prej atij momenti, loja ishte në kontrollin e miqve. Atanaskoskit, Gudjufit dhe Shanajt iu dha mundësia për të bërë diferencën. Rezultati shënonte 0 me 0 nga fundi i kohës së rregullt, për këtë ishte radha e tyre që të bënin diferencën. Në fakt, asnjë prej tyre nuk solli freskinë që duhej. Stoli nuk ndikoi aspak në kohën shtesë, duke mos qenë në lartësinë e skuadrës. GOLI- Kalju e qarkulloi topin për rreth 1 minutë, para se të arrinte te goli në kohën shtesë. Nga ndeshja mund të quhet aksioni i vetëm i rrjedhshëm i tyre. Në atë moment, Partizani tregoi mungesë ekuilibri dhe përqendrimi. Rasti i parë në minutën e 104-t u kthye edhe në gol.

MALAJ, HIMALLARI DHE VATA- Nëse mund të veçohet vetëm një lojtar për të dyja ndeshjet, ai është Tedi Malaj. Sulmuesi i Partizanit ka vrapuar nga mbrojtja në sulm dhe nga njëri krah te tjetri. Rreth 16 kilometra janë përshkruar vetëm në sfidën e kthimit prej tij. Malaj u mundua të bënte diferencën dhe në disa momente udhëhoqi Partizanin. Jo të gjithë u treguan në nivelin e tij. Partizani ka dy talente, që duan shumë kujdes pasi ndikon në gjithë karrierën e tyre më pas. Elson Himallari dhe Dion Vata luajtën në ndeshjen e parë, por në të dytën duket se Gega vendosi t’i mbrojë nga presioni i madh. Kështu edhe në faturën e humbjes nuk kanë mbetur si dy lojtarë që mund të përmenden.

PAS NDESHJES- Ndryshe nga ndeshja në Talin, Partizani pati më tepër raste, qarkulloi më shumë topin dhe për këtë fakt Gega i dha meritat skuadrës. Më tepër për të treguar edhe sakrificën e skuadrës, që aq shfaqi në maksimumin e saj. “Për atë që dhanë jam shumë i lumtur, për rezultatin ndjej keqardhje, nuk kam shumë për të thënë”, u shpreh trajneri i Partizanit ndër të tjera. Nikita Andrejev që e kishte parë potencialin e Partizanit në Talin, tha në anën tjetër: “Lojtarët që hynë nga stoli vendosën ndeshjen, Nikolajev dhe Ivanov treguan se kemi një stol shumë të mirë. Çdo lojtar është gati të vijë nga stoli dhe të na ndihmojë. Siç e thashë edhe para ndeshjes, nga ana fizike jemi ekip shumë më i mirë”. Europa tregoi se Partizani është mjaft larg objektivave, që drejtuesit përmendin. Një kualifikim nuk do të zgjidhte problemet që shfaq organika e Partizanit. Nëse stoli do të kishte më tepër kualitet, atëherë gjërat mund të ndryshonin për mirë. Kalju e zgjidhi ndeshjen me dy lojtarë nga stoli, goli i Ivanov që u asistua nga Nikolajev. A ishte i paralajmëruar ky dështim?

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *