
Paraqitja e Cole Palmer në Kupën e Botës për Klube 2025 ka tërhequr vëmendjen e Manchester Cityt. Pep Guardiola po shqyrton mundësinë për ta rikthyer talentin e rritur në akademinë e klubit.
Palmer ishte protagonist absolut në finalen kundër PSG-së, ku realizoi dy gola në fitoren 3–0 të Chelseat, duke e mbyllur turneun si një nga lojtarët më të dalluar.
23-vjeçari ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Chelsean, ku në të gjitha garat ka zhvilluar 52 ndeshje zyrtare. Ai ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar në 14 të tjerë, duke qenë lideri ofensivë i skuadrës.
Kjo formë ka shtyrë Manchester Cityn të mendojë seriozisht për një rikthim, por transferimi nuk do të jetë aspak i lehtë. Chelsea kërkon të paktën 170 milionë euro për kartonin e tij.

Një shumë e tillë do të thyente rekordin aktual britanik të transferimeve, duke e bërë Palmerin lojtarin më të shtrenjtë në historinë e Ligës Premier.
Palmer iu bashkua Chelseat në vitin 2023 për 47 milionë euro nga Manchester City. Në vetëm dy sezone, ai është shndërruar në lider të skuadrës dhe një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian.
Interes për të ka shfaqur edhe PSG, që mbeti e impresionuar nga paraqitja e tij në finale. Megjithatë, Chelsea duket e vendosur ta mbajë yllin e saj, i cili është kthyer në simbol të rikthimit të ambicieve të klubit londinez.