
Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur komentuesve në “Sy m’Sy”, një ndër to edhe për aksionin e lirimit të hapësirave publike.
Ai u shpreh se gjatë lëvizjes në terren në Tiranë së bashku me skuadrën socialiste ka vënë re këtë problematikë, teksa më pas ka ardhur edhe reagimi.
Rama u shpreh se kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve ka qenë lirimi i hapësirave publike. Megjithëse në Tiranë nuk ka një drejtues, kreu i socialistëve u shpreh se kjo nuk e ka penguar punën.
“Dua t’i bëj që këto zgjedhje unë isha pjesë e skuadrës së Tiranës dhe ndryshe nga vendet e tjera, kam pasur një seri takimesh dhe praktikisht kam mundur të shoh dhe kaloj në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh pasi nuk më kishte çuar puna.
Kam vënë re dy gjëra, nga një anë transformimet e mëdha pozitive, në territore deri shumë periferike që në kohë të mëparshme kanë qenë larg shumë larg parametrave më të thjeshtë të humanizmit dhe negative, pikërisht në aspektin e një ekspansioni, zgjerimi të kufijve, veprimtarisë në hapësirat publike, gjë që e kam dëgjuar edhe nga qytetarët e Tiranës. Kjo ishte baza e shqetësimit.
Më pas nëse e keni vënë re, ne nuk kemi ndenjur rehat, por pak ditë pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat rekord, kemi parë se çfarë shqetësimesh ka komuniteti nga ato që i kemi dëgjuar pak ose mund të mos i kemi identifikuar, deputetët socialistë kanë qenë në territor në mënyrë të vazhdueshme.
Në disa qytete të mëdha të vendit, për tu ritakuar me komunitetin. Në kushtet e një situate jo të zakonshme në Tiranë, Tiranës i mungon drejtimi, kjo është histori për ditë tjetër, kemi riorganizuar veten duke vendosur deputetët në një pozicion edhe më kërkues për të ndjekur nga afër problemet.
Ka qenë nga të katërta anët e kryeqyteti, kërkesa ka qenë e njëjtë, na lironi hapësirat publike. Ka lloj lloj qasjesh dhe unë do a prekja në një pikë që e shoh të rishfaqet shpesh. Ka problematikë, por është ku e ku me çfarë ka qenë më parë, na duhet të rikthehemi se ka ende për të bërë, jo se gjërat janë në pikën që kane qenë. Jemi shumë afër realizimit, kjo nuk është një çështje inspektimesh, por vendosje e kontrollit nëpërmjet teknologjisë. Kemi nisur punë me monitorimin teknologjik të punëve”, tha Rama.
Rama: Mirëmëngjes dhe jemi këtu për një Sy më sy, duke qenë se ka pasur interesim të madh dhe komente nga më të ndryshmet lidhur me gjithë qasjen e re pas zgjedhjeve, qoftë në raport me hapësirat publike, qoftë në raport me zhvillimet e thella në bashkitë kryesore të vendit.
Po e filloj nga hapësira publike, meqenëse edhe pjesa më e madhe e komenteve të ditëve të fundit janë lidhur me këtë dhe po e kap pikërisht aty, ku kapen një pjesë e komentuesve me zë kritik “pse tani”.
Dhe po e filloj me Ksenofonin, i cili thotë “nuk e kuptoj pse këto nuk i bëre para zgjedhjeve, thjeshtë se atëherë nuk ta mbante”.
Së pari, dua të kujtoj që në këto zgjedhje unë isha pjesë e skuadrës së Tiranës, për herë të parë dhe si pjesë e skuadrës së Tiranës ndryshe nga fushatat e tjera të zgjedhjeve të përgjithshme, kam pasur një sëri të gjatë takimesh nëpër Tiranë dhe praktikisht kam mundur të shoh dhe të shikoj në shumë territore të Tiranës, që përndryshe nuk i kisha parë prej kohësh pasi nuk më kishte çuar puna, siç më çon në gjithë territoret e Shqipërisë, por jo në të gjithë territoret e Tiranës dhe kam vënë re dy gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje.
Nga një anë transformimet e mëdha që ka pësuar Tirana, pozitive pa diskutim, pozitive e përsëris në territore deri shumë periferike, që në kohë të mëparshme kanë qenë larg, shumë larg parametrave më të thjeshtë të urbanizimit dhe negative, pikërisht në aspektin e një ekspansioni, e një zgjerimi të kufijve të veprimtarisë të njësive të shërbimit në hapësirat publike, gjë që e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur edhe nga qytetarët e Tiranës.
Pra kjo ishte si të thuash baza e një shqetësimi. Më pas, nëse e keni vënë re dhe mbase dhe mund të mos e keni vënë re, ne nuk kemi ndenjur rehat, por përkundrazi, pak ditë pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat që ishte i jashtëzakonshëm, një rekord absolut, por që vjen me një përgjegjësi shumë të madhe kemi diskutuar për domosdoshmërinë që të kthehemi në territore dhe të shohim se çfarë shqetësimesh ka komuniteti nga ato që i kemi dëgjuar pak ose mund dhe mos t’i kemi identifikuar.
Dhe kështu deputetet e PS kanë qenë në territor në mënyrë të vazhdueshme në Tiranë, në Vlorë kam ndjekur vet, në Durrës dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit për t’u ritakuar me komunitetin.
Në kushtet kur kemi pasur në Tiranë një situatë që ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës praktikisht i mungon drejtimi prej tanimë, një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet dhe kjo është një histori tjetër për një ditë tjetër.
Kemi riorganizuar tërësisht veten, duke vendosur deputetet në një pozicion edhe më kërkues për sa i përket pikërisht të qëndruarit afër dhe të identifikuarit dhe të ndjekurit të problemeve në territoret e kujdestarisë së tyre dhe ka qenë absolutisht nga të katra anët e qytetit, e qartë kërkesa numër 1 e komunitetit, na çlironi hapësirat publike.
Tani ka lloj – lloj qasjesh dhe unë doja ta prekja për shembull një pikë që e shoh të rishfaqur shpesh që “pse gjithmonë kështu?”.Jo nuk është gjithmonë kështu. Ka një problematikë në territor, por është ku e ku në krahasim me çka qenë më parë. Pra, na duhet të rikthehemi herë pas here, pikërisht ka ende për të bërë, por jo sepse gjerat janë në pikën ku ishin më parë, kjo jo. E para!
E dyta, patjetër që ka nevojë për një organizim të mëtejshëm dhe unë e kam thënë prej kohësh. Tanimë jemi shumë afër realizimit dhe kjo nuk është një çështje thjeshtë dhe vetëm inspektorësh dhe inspektimesh, por kjo është një çështje e vendosjes në një nivel tjetër të kontrolli përmes teknologjisë. Dhe jemi shumë afër edhe në këtë aspekt. Ndërkohë që, kemi nisur punën, e kam shpjeguar disa herë, me monitorimin teknologjik të rrugëve. Kemi prezantuar, mbase e keni parë, Qendrën e Monitorimit të Trafikut. Kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por në ndërkohë jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik të strukturuar sepse kemi bërë testet e territorit, ku do mund të ndjekim gjithçka që ndodh në territory, përmes dronëve dhe përmes informacionit të marrë nga dronët, gjë që do të bëjë që puna e inspektorëve dhe e syve në terren, të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë. Kjo do të na çojë në një nivel krejt tjetër dhe do të jemi shumë më të sigurtë për mos prapakthimin e asnjë progresi në këtë drejtim.
Ndërkohë që, duhet të jemi shumë të qartë dhe për një gjë tjetër. Ky nuk është një proces që synon apo që nuk merr parasysh që këtu duhet të krijojmë harmoni dhe bashkëjetesë në harmoni mes interesit të qytetareve, mes atyre që me plotë të drejtë kanë nevojë për hapësirat e tyre, qoftë për të kaluar në këmbë lirisht, qoftë për të qëndruar lirisht në hapësirat komunitare dhe atyre që ofrojnë shërbime, që bëjnë një biznes të vogël me këto hapësira. Sepse shoh që ka Erion Sina këtu thotë “po hiqni xhamat e po lini karriget, ku është hapësira, ose Klaus Gjika thotë “mirë e bëni, por pse nuk pritët ta bëni këtë gjë pas verës se turistët shikojnë sikur “ka rënë bomba”, – se i kemi dhe këto ekzagjerimet ne, “ose ta bënit para sezonit dhe ndërkohë të hiqni dhe karriget”
Këtu nuk do shkojmë në ekstreme të kësaj natyre. Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë, bësoj hap pas hapi, të krijojmë një vijë të padukshme, por një vijë të pranuar nga të gjithë, ku 70% parimisht, se mund të jetë 65, mund të jetë 75, mund të jetë 80, sipas rastit, po 70% e trotuarit, ku njerëzit duhet të ecin, të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% të jetë për karriget, për shërbimin jashtë.
Ne jemi një vend mesdhetar, dhe si të gjitha vendet mesdhetare, si në të gjitha kryeqytetet dhe qytetet mesdhetare është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë, dhe është dhe bukur për jetën e qytetit që të ketë shërbime jashtë. Por, nga ana tjetër, ajo që është e shëmtuar dhe e patolerueshme, është që këto shërbime të kthehen në zaptime, të kthehen në presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën normale të jetës. Ndërsa, përsa i përket kësaj teorisë së turistëve, kjo është një teori kot. Të jeni të sigurt që është një teori kot që nuk ka asnjë lloj vlere.
“Po mirë, kush ishte ajo qeveria që e lejoi këtë zaptim”?!
E para e punës një herë, nuk është qeveria që merret me karriget dhe me tavolinat. Këtu jemi në kushtet e një mobilizimi për t’i dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe shteruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në kryeqytet dhe qytetet e mëdha të vënë re gjatë gjithë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike, si pasojë e karrigeve, tavolinave, çadrave, barrikadave, luleve, vazove vend e pa vend, ngrehinave metalike-pergolata, siç i quajnë në Vlorë ato ngrehinat metalike, e kështu me radhë.
E nga ana tjetër, u morën taksat. Unë shpresoj që t’i marr taksat për çdo metër katror të zaptuar, kjo do ishte gjysma e së keqes që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë, por nuk besoj se janë mbledhur të gjitha për fat të keq.
“Bëni një shtet”, – thotë Andreasi, – “që funksionon jashtë qeverive që vinë e vejnë, bëni një shtet funksional, ke 13 vjet, në qeveri – më thotë mua – “dhe mendon vetëm si të bësh ushtri socialiste. Tamam si ai vulëhumburi, prishi ato pa leje dhe mendo dhe ato që ngelen pa një të ardhur nga këto prishje. Shumë mirë e dëmshpërbleve Lulen dhe vjehrrin e tij për prishjen, po uji i ftohtë, apo nuk ishte pa leje ai dhe fillo me ujin e pijshëm në gjithë vendin se jemi si në kohën e Zogut.”
Këto janë ato komentet tipike të hedhjes së “palabrave” kur i thonë në greqisht, pallavrave domethënë.
Se nëse ka një gjë që ne kemi bërë, dhe unë jam krenar për këtë, është që kemi shmangur pikërisht bërjen e një ushtrie socialiste të shtetit, se po të mos e kishim bërë ndryshe, natyrisht me të gjitha të metat e veta, padiskutim me të gjitha ato boshllëqet e veta, padiskutim nuk do të ishim sot në kushtet kur negociojmë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ku një nga pikat tona më të forta, është pikërisht transformimi i administratës publike. Kjo është e para, e dyta, unë nuk kam dhe askush nuk ka asnjë arsye të mendojë për të paktit që akoma sot në vitin 2025, ku turistët ndërtojnë pa leje, atë duhet ta mendojnë vetë, ngelen apo s’ngelen pa një të ardhur, edhe pse nuk janë ata pa të ardhura që pastaj, ku turistët të ndërtojnë pa leje, të jemi shumë të qartë edhe për këtë.
Unë dhe ne jemi këtu për të menduar shumicën dërrmuese, për 99% të shqiptarëve që jo vetëm nuk ndërtojnë pa leje, por që i kanë “zët” sepse me shumë të drejtë, kërkojnë fundin, fundin, fundin këtij fenomeni, ata që ndërtojnë pa leje. Dhe sa për rastin konkret që më the, që ai rast është një rast tjetër shumë specifik, por duhet ta dish ti dhe të gjithë, që nuk kemi dhënë asnjë dëmshpërblim për atë rast. As edhe një! Kur të vijë në pushtet Luli, le t’ia bëjë vetes ato para, po sa të jem unë këtu, kjo nuk do të ndodhë sepse ka plot të tjerë përpara që meritojnë të dëmshpërblehen përpara Lulit. Ore Lul, ku je more artist? U bë shumë kohë që s’të shoh. S’më ndoqe! Nuk më ndoqe! Mbete te 7×7-ta. Eh mor Lul.
“Më në fund do dalim nga shtëpia pa përshëndetur klientët e lokalit”, – thotë Melisa. Dakord jam.
Ndërkohë që Emiljano ka një ‘klithëm’ tjetër. O Bankers, ka ndonjë gjë për të thënë, se me këto merret komunalja, miliarda evazion dhe lekë shpërndarë për politikanë dhe media, atë shih ti. Aty është lepuri i madh, apo aty nuk të intereson.
Që ta dish ti Emiljano, dhe të gjithë ata që të keqinformojnë, ose që bashkë me ty keqinformojnë, se nuk e di a je njeri me këtë identitet, apo je një maskë e dikujt tjetër, po ç’rëndësi ka kjo, që ta dish, ne kemi fituar me Bankersin një arbitrazh dhe Bankersi na detyrohet 240 milion euro, e para. E dyta, shyqyr ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur, dhe në këtë rast, i ke hequr kapelen prokurorisë përkatëse që ka bërë këtë investigim, dhe uroj që t’i nxjerri të gjithë ujin e zi asaj ndërmarrjeje ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncensioni përpara se sa unë të merrja detyrën. Dhe është folur dhe stërfolur për koncensionet që kemi dhënë ne, të gjitha pëpërjashtim po të rikthehesha 100 herë, nuk do t’i lija pa i bërë, sepse janë të gjitha në shërbim të popullit shqiptar, por koncensionet që kemi trashëguar janë ç’janë. Ato janë, ç’janë! Ato janë vrima të zeza dhe pavarësisht se në ndonjë rast, ka pasur edhe ndonjë gjë që s’ka shkuar, por koncensionet apo partneritetet publik-private që kemi bërë ne, kanë bërë të mundur rrugën e Arbrit pa asnjë kosto, zero, për qytetarët. Kanë bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona, pa asnjë kosto. Pa asnjë kosto, e përsëris. Të gjitha çfarë janë thënë, janë përralla me mbret, krahasuar me çfarë ndodh me kostot e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në vendet e tjera. Ne e kemi nën 30 euro, në vendet e tjera nuk fillon pa 100 euro për ton. Kemi bërë të mundur sterilizimin e të gjitha instrumentave mjekësorë në të gjitha spitalet tona, dhe rënien drastike të infeksioneve post-operatore, pavarësisht se çfarë thuhet.
Kemi bërë të mundur analiza laboratorike të një ame shumë të gjerë në spitalet tona, pavarësisht se çfarë thuhet. Të gjitha këto pa kosto, pa fatura për publikun. Kur dikush shkon në spital dhe hyn në një operacion apo bën një analizë, nuk paguan, zero, ndërkohë që dikur ishte ndryshe. Pra, unë nuk kam ti Emiljano sa i përket Bankers apo kush e ka bërë Bankers-in dhe çfarëdolloj emri tjetër që mund të gjesh ti nëpër rrugët e historisë ekonomike të Shqipërisë dhe kush i ka vënë ato emra, kush i ka bërë apo ka lidhje me ato emra. Nuk kam fare asnjë problem.
Më tutje, “A mendon se nuk duhet të ishin, nëse do të kishe njerëzit që duhen në pozicione me dorëheqjet që dhanë u ke bërë nderin më të madh se do ishin në hasmëri me njerëzit që u kanë marrë lekët?
Dëgjo, të mos i fusim të gjithë në një thes dhe të mos ngatërrojnë të njomin me të thatin. Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore të vendit janë një domosdoshmëri për t’i dhënë një puls totalisht tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhetet e mëdha por lidhen me vëmendjen e madhe me përkushtim të madh dhe Vlora është rasti tipik. Shikojeni se çfarë ndryshimi i menjëhershëm do të ndodhë në një kohë shumë të shkurtër dhe nuk është një ndryshim me buxhet shtesë por me një vëmendje shtesë, me një përkushtim të shtuar ku janë përfshirë të gjithë deputetët bashkë me kryetarin e bashkisë ku është hapur një proces për të ftuar djem e vajza të reja, njerëz që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës dhe duan t’i shërbejnë Vlorës që të aplikojnë dhe të kandidojnë për të qenë drejtuesit e ri të bashkisë Vlorë. Asnjëri nga ata që drejtuan për vite nuk ka pse të qëndrojë aty edhe për vite të tjera ndërkohë që ka të tjerë që kanë vite që mendojnë se nuk do t’u vijë kurrë radha që duhet ta kenë këtë mundësi kudo, në të gjitha bashkitë e mëdha të vendit ku ka edhe burime njerëzore që janë të pashfrytëzuara, se nuk flasim për bashkitë e bogla ku burimet njerëzore janë të kufizuara.
Visi Hidri thotë “Me shumë keqardhje e them që nuk duhet bërë duke u mburrur por t’i bënit me kokën ulur dhe natën të mos ju shikojë njeri kur t’i prishni se gabimet tuaja po rregulloni dhe atyre që morën lekët që i lejuat t’i bënit dhe që janë tuajët ose tanët se unë kam votuar”.
Dëgjo i dashur, e para e punës njëherë këtu nuk bëhet fjalë për mburrje, këtu bëhet fjalë për informim se e kam dëgjuar herë pas herë këtë “Mos u mburr se po bën punën”. Të gjitha qeveritë në historinë e njerëzimit janë krijuar për të bërë punën jo për të bërë ndonjë vezë të kuqe dhe qeveritë dallojnë nga njëra tjetra pikërisht tek mënyra sesi e bëjnë punën. Drejtuesit dallojnë nga njëri-tjetri tek mënyra se si e bëjnë punën, edhe liderët dallojnë me njëri-tjetrin tek mënyra sesi bëjnë punën, jo se sa vezë të kuqe bëjnë. Kjo nuk është çështje mburrjeje, kjo është çështje informimi, komunikimi, diskutimi, sqarimi, dëgjimi, reflektimi e kështu me radhë. Kështu që, nuk ka lidhje kjo me mburrjen, e para. E dyta, e përsëris, unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për një shtytje të fortë nga lart. A duhet të ikshin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje? Patjetër por nuk jemi ende një shoqëri demokratike e konsoliduar të dijë se ku e ka kufirin se nga këto fillon gjëja. Nuk fillon gjëja nga inspektori, nuk fillon gjëja nga kontrollori. Gjëja fillon, në radhë të parë njëherë, nga secili që duhet të dijë se ku e ka kufirin dhe natyrisht pastaj inspektori, kontrollori, drejtori e të tjerë janë aty për të siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.
“ shqiptarët janë një komb qesharak” Ky që shkruan tani ia ka vënë emrin vetes Albanian Macedonian History. Domethënë më qesharak se ky nuk ka. Dhe thotë, “bota jeton në parqe, në qytete me pemë”. Domethënë bota jeton në pyll. “Apo në shtëpi me kopshte”. Po patjetër, bota ka dhe shtëpi me kopshte, siç ka edhe Tirana shtëpi me kopshte, mjafton të duash ti shikosh dhe i shikon, por bota ka edhe Lagje siç ka Parisi, Roma, Londra, Berlini e Athina e të tjera, ka edhe pallate shumëkatësh,
“si skllevërit në shpellën e Platos”. Di dhe Platon ky. “Shikojnë TV dhe propagandë e kujtojnë se kjo është jeta”
“këto qydira thotë ky tjetri që e quan veten Shqipëria Etnike, ndodhin vetëm në Shqipëri”. Jo nuk ndodhin vetëm në Shqipëri dhe në Shqipëri ndodhin gjithmonë e më pak.
Kristi Meshini, “sa të bëhen zgjedhjet në bashki e sa të punësosh të PD-së nëpër drejtori që të kesh me ca të kapesh, si avazi i historisë me hapësirat publike”. Ky duhet të jetë i PD-së me siguri.
“një pyetje kam unë, pse nuk bëhesh sulltan se kryeministri nuk ka pse merret me të gjitha këto”. Po pse me çfarë duhet të merret kryeministri sipas teje kur i shikon disa gjëra që nuk shkojnë? Duhet të rrijë e të kthehet nga ana tjetër e të thotë që nuk janë detyrat e mia?
“bëhu sulltan dhe fillo nga veriu në jug çfarë ka mbetur pa tender, beton , koncesion, jepja ndonjë iraniani a izraeliti”. Prandaj jeni në opozitë e do vazhdoni të rrini në opozitë, e kupton? Se ja, me këtë mendje.
“rrugën Milot – Lezhë, Shkodër – Ulqin, lidhe atë pjesë se ka mbetur si shkretëtirë, e keni nda si me qenë dy shtete”. E kemi shpjeguar. Është në proces, ne i kemi të gjitha gati, por na duhet transparencë, na duhet konkurrencë dhe na duhet një partner i besueshëm. Për këtë arsye edhe procesi është anuluar dy herë në mos gabohem, në mos tre fare. Kështu që sapo të kemi kontratën e lidhur, në mënyrë të rregullt dhe të plotë, do të fillojmë dhe këtë segment.
“Astiri është gjysma e Tiranës, si mos më keq nuk kalohet me fëmijë, nuk ka vend”. Jam shumë i qartë se kam qenë dhe në Astir ku më në fund hapëm dhe themelet e shkollës së shumë munguar e duhet të jemi të sigurt që historisë së hapësirave publike nuk do ti ndahem edhe për një arsye tjetër, jo vetëm për këtë pjesë por edhe për pjesën e rivitalizimit të tyre. Mandati ynë i katërt do të jetë rilindja Urbane 2.0 që do të thotë më shumë hapësira publike të ri kualifikuara me përfshirjen e arkitektëve të huaj fatmirësisht. Kemi një rrjet arkitektësh të huaj si pak kush në këtë botë, me një numër të konsiderueshëm edhe arkitektësh shqiptarë. Janë 60 arkitektë lokalë që janë angazhuar në tiranë, në 8 grupe pune, që po merren në ndërkohë me projekte, sepse nuk është thjesht që të heqim gjërat por edhe të krijojmë situata të reja të kualifikuara në territoret e komuniteteve dhe kjo gjë do të ndodhë në të gjithë perimetrin e Tiranës. Të jeni të sigurt, hap pas hapi. Tirana ka nevojë të ngjitet në një nivel tjetër tanimë të hapësirave publike, në një nivel tjetër kulturës urbane, në një nivel tjetër të cilësisë së shërbimeve dhe të estetikës së shërbimeve, se ky është momenti kur ne mund ta humbasin bastin e madh të Shqipërisë kampione e Ballkanit në turizëm, nëse nuk i japim cilësi estetike shërbimeve tona.
Dhe ky është momenti i transformimeve i disa shërbimeve jetike, që nga shërbimi me ujë, tek shërbimi i pastrimit, të cilat do t’i reformojmë rrënjësisht, ashtu sikundër tek kontrolli mbi territorin dhe tek kontrolli i sigurisë ushqimore. Janë piketa që do të jenë piketa kyçe të mandatit të katërt dhe që lidhen drejtpërdrejtë edhe me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Dhe pasi të shembesh dhe objektin masiv që ka mbetur, fillojnë oligarkët e tu ndërtimin nga e para se ky është plani i radhës edhe në Theth si gjithmonë”.
Jo mor djalë jo, je shumë gabim. Këto janë përrallat me të cilat ju kanë mbushur kokën ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë ose zhytja e kokës nëpër kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike. Nuk ndodh kjo kështu.
Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido qoftë që do investojë në atë pronë duhet të merret vesh me atë dikë, nuk ka shans të ndodhë ndryshe. Ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtete. Nuk do të ketë zhvillime pas atij pastrimi të madh përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty, kuptove? Nuk është Thethi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, vendi për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi.
Këto ishin pak a shumë. Ju falënderoj të gjithëve.
Ju siguroj që ky kapitull i ri i hapësirës publikes është një kapitull i ri, nuk është përsëritja e një kapitulli të vjetër, nuk është një aksion, nuk është një show, nuk është një gjë për pak ditë, është fillimi i një pune kolosale 4 vjeçare për rilindjen urbane 2.0 që do të ketë edhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës, që kanë të bëjnë me kufizimin e ndërtimeve, që kanë të bëjnë me një sërë gjërash të cilave iu ka ardhur koha.
Shumë faleminderit!