
Postuar: Korrik 13, 2025 | 16:47
Federiko Gati është gjithnjë e më pranë rinovimit me Juventusin. Mbrojtësi bardhezi, një nga pikat e forta të repartit difensiv sezonin e kaluar, pritet të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2030, me një pagë vjetore prej rreth 2.5 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset.
Sipas “Tuttosport”, gjithçka është e mbyllur në letër, por zyrtarizimi do të ndodhë vetëm pas kthimit të lojtarit nga pushimet. Në fakt, Gati do të nënshkruajë marrëveshjen në ditët e para të rikthimit në Kontinasa, në përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e Igor Tudor. Ajo që bën më shumë përshtypje është refuzimi i ofertës së Napolit, që sipas burimeve ka qenë më e lartë se ajo e Juventusit.
Megjithatë, besnikëria dhe ndjenja e përkatësisë së Gatit ndaj fanellës bardhezi duket se ka peshë më të madhe se çdo shifër ekonomike. Ky rinovim është një tjetër sinjal i qartë nga klubi se dëshiron të ndërtojë një skuadër të fortë rreth elementëve të qëndrueshëm dhe të besuar, ndërsa Gati shihet si një shtyllë e mbrojtjes për të ardhmen.
Gati u përfol më herët edhe për një transferim jashtë Italisë me disa klube të Premier Ligës që shfaqën interes për mbrojtësin e Juventusit. Megjithatë, ky i fundit duket se e ka vendosur për t’i qëndruar besnik “Zonjës” të paktën për momentin.
PANORAMASPORT.AL
