
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale pas prishjes së disa ndërtimeve në zonën turistike të Thethit, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e kësaj ndërhyrjeje në komunitetin lokal dhe sezonin turistik.
Sipas saj, situata është e lidhur me zbatimin e ligjit të njohur si “Paketa e Maleve”, të cilin ajo e cilëson si të diskutueshëm në mënyrën sesi aplikohet në terren.
Deputetja thekson se ndërhyrja për prishjen e ndërtimeve ndodh në një periudhë të ndjeshme për turizmin dhe mund të ketë ndikim në imazhin e vendit. Ajo nënvizon se ndërtimet në fjalë kanë qenë të pranishme për një kohë të gjatë dhe kërkon sqarime për mënyrën se si po veprohet nga autoritetet.