
Toni Kroos vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme për tifozët e Real Madridit, veçanërisht pas deklaratave të fundit, ku ai nuk e përjashtoi mundësinë e një rikthimi në klubin madrilen.
Vetëm disa javë më parë, ish-mesfushori gjerman luajti në një miqësore kundër Borussia Dortmund dhe tregoi se është në formë të shkëlqyer fizike. Shumë prej tyre ëndërrojnë që një ditë t’i kërkojnë Xabi Alonsos ta lejojë të kthehet në fushë.
“Për shkak të lidhjes sime me Real Madridin dhe marrëdhënies që kemi, nuk do ta përjashtoja kurrë mundësinë të bëja diçka përsëri për klubin në një moment në të ardhmen”, deklaroi Kroos në Gjermani, duke reflektuar mbi planet e tij dhe vendimet e para të mëdha në jetë pas largimit nga Real Madridi në pranverën e vitit 2024.

Ai po kthehet te Real Madridi
Vetëm një vit pas daljes së tij në pension, që ishte e vështirë për të gjithë në klub, hapet mundësia e ribashkimit me klubin që ai gjithmonë e ka quajtur “klubi i jetës së tij”. Mbetet të shihet se në çfarë roli dhe në çfarë mënyre.
Për herë të parë, mesfushori gjerman pranon se po e shqyrton seriozisht një rikthim te Real Madridi. Edhe pse ende nuk dihet se në çfarë kapaciteti, ka shumë pozicione të lira në klubin mbretëror. Kroos mund të bëhet ambasador i klubit, përfaqësues ndërkombëtar i Real Madridit apo edhe trajner në qendrën e të rinjve.
Nuk duhet harruar se ai ka drejtuar akademinë e tij të futbollit në Madrid për vite me radhë, përmes së cilës ka krijuar një lidhje të fortë me brezat e rinj, veçanërisht në një kohë kur po përgatitej t’i thoshte lamtumirë karrierës së tij profesionale.
Toni Kroos gjithmonë e dinte se do të qëndronte te Real Madridi. Disa javë më parë, ai u shfaq në lamtumirën e Luka Modrić dhe Carlo Ancelotti, duke theksuar se sa shumë do të thoshte kjo për të: “Kur mora vesh se Modrić po largohej, dhe bashkë me të edhe Carlo, nën drejtimin e të cilit luajta për vite me radhë, doja të isha me ta dhe të tregoja respekt për gjithçka që kishin arritur në vitet që kaluam së bashku. Ndjeva nevojën të isha me ta dhe t’i mbështesja në atë moment”.

I dashuruar me Madridin
Në një ceremoni të kohëve të fundit në kryeqytetin spanjoll, ku ai mori disa çmime, ai riafirmoi lidhjen e fortë që ka me qytetin dhe klubin. Kjo lidhje emocionale jep arsye të mëtejshme për të besuar se ai mund të kthehet në Madrid.
“Kur mbërritëm në vitin 2014, ata na pritën me krahë hapur. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse nëse ndihesh i mirëpritur, është më e lehtë të luash mirë në fushë. Ne ndihemi si në shtëpi këtu. Kur mbërritëm për herë të parë, plani ishte që një ditë të ktheheshim për të jetuar në Gjermani. Atë vit, filluam të ndërtonim një shtëpi”.

“Por çdo vit ndiheshim gjithnjë e më mirë në Madrid dhe ajo shtëpi është ende bosh. Plani është të qëndroj këtu. Gjeta një shtëpi këtu, përveçse gjeta klubin e jetës sime këtu”, ka thënë ai.