
Pavarësisht që u argëtuan në një festë me shkumë në Kroaci, Jeff Bezos dhe e fejuara e tij Lauren Sanchez, po hasin probleme organizative përpara dasmës së tyre, e cila është planifikuar për 27 qershor në Venedik.
Sipas mediave italiane, çifti u detyrua të ndryshonte një nga vendet kryesore për eventin.

Dasma ka shkaktuar tashmë polemika të mëdha me protesta të planifikuara nga vendasit, të zemëruar ndaj çiftit për pushtimin e qytetit për festimet e planifikuara tre-ditore.
Plani fillestar ishte për një festë të madhe në Scuola Grande della Misericordia të shtunën në mbrëmje, por tani është zhvendosur në një vend tjetër në lagjen Arsenale të qytetit.
Il Gazzettino shkroi se ditët para dasmës do të jenë plot tension dhe se zhvendosja në vendin e ri është për shkak se është më e lehtë për t’u kontrolluar, pasi priten protesta të mëdha.
Megjithatë, ata shtuan se lufta dhe tensionet globale në rritje midis ShBA-së dhe Iranit po merren në konsideratë, pasi baza e madhe ajrore amerikane në Aviano është vetëm 80 kilometra nga Venediku.
Një takim i autoriteteve lokale me policinë dhe ekipet e sigurisë do të zhvillohet të martën për të diskutuar dasmën. Ndërkohë, të hënën, aktivistët e Greenpeace shpalosën një banderolë të madhe në Sheshin e Shën Markut, zemrën ikonike të Venedikut, duke protestuar kundër dasmës.
Protesta për dasmën e Bezos

Aty shfaqej një fotografi e fytyrës së Bezos dhe slogani: “Nëse mund ta marrësh me qira Venedikun për dasmën tënde, atëherë mund të paguash më shumë taksa”.
Aktivistë nga grupi britanik ‘Everybody Hates Elon’ ishin gjithashtu të përfshirë dhe thanë se e kryen atë për të nxjerrë në pah padrejtësinë mjedisore dhe sociale të dasmës.
“Bezos mishëron një model ekonomik dhe shoqëror që po na çon drejt kolapsit. Shumë shpesh, padrejtësia sociale ecën krah për krah me klimën, nga njëra anë me arrogancën e disa miliarderëve që kanë një stil jetese që po shkatërron planetin, dhe nga ana tjetër me njerëzit që vuajnë nga kriza ekologjike çdo ditë”, tha një aktivist.
Simone Venturini, një anëtar i Bordit Turistik të Venedikut, i tha MailOnline: “Venediku është e nderuar të presë një ngjarje private si dasma e Bezos, e zgjedhur nga destinacione anembanë botës për bukurinë dhe karakterin e saj unik. Kjo festë nxjerr në pah atraktivitetin ndërkombëtar të qytetit tonë dhe aftësinë e tij për të pritur në mënyrë diskrete dhe efikase ngjarje të profilit të lartë”.
Ai vëren se qindra ngjarje dhe festime organizohen në Venecia çdo vit dhe falënderoi Bezos dhe Lauren për donacionet e konsiderueshme për organizatat për ruajtjen dhe mbrojtjen e Venedikut.