
E ardhmja e sulmuesit francez Randal Kolo Muani mbetet ende pezull, teksa dy skuadra të mëdha të Premier Ligës kanë hyrë fuqishëm në garë për ta afruar.
Futbollisti, aktualisht i huazuar te Juventusi dhe pjesëmarrës në Botërorin për Klube, pritet të rikthehet së shpejti te PSG-ja, klubi që zotëron kartonin e tij, për të vendosur mbi hapin e radhës në karrierën e tij.
Sipas asaj që raporton gazeta franceze “L’Equipe”, Çelsi dhe Mançester Junajtid janë dy klubet angleze që kanë shprehur interes të fortë për Kolo Muaninë. Në veçanti, “Blutë” e Londrës kanë nisur tashmë kontaktet me PSG-në dhe janë të gatshëm të bëjnë një ofertë për ta blerë përfundimisht lojtarin. Ndërkohë, “Djajtë e Kuq” janë disi më të tërhequr, duke e ndjekur situatën nga afër, por pa ndërmarrë hapa konkretë deri tani, pasi duhet të zgjidhin më parë disa largime të mundshme, përfshirë atë të Hojlundit.
JUVENTUSI- Megjithatë, Juventusi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga shërbimet e Kolo Muanisë. Drejtori i përgjithshëm i klubit, Damien Komoli, është shprehur optimist për një marrëveshje të re me PSG-në. “Kemi folur me PSG-në për Botërorin. Për më pas, jam optimist që do të gjejmë një akord për ta pasur për të gjithë sezonin e ardhshëm. PSG-ja nuk e ka përjashtuar opsionin e huazimit dhe lojtari është i hapur”.
Qëllimi i bardhezinjve është ta mbajnë francezin edhe për sezonin e ardhshëm, ndoshta sërish në formë huazimi, me mundësinë e blerjes përfundimtare në verën e 2026. Forma dhe angazhimi i Kolo Muanisë në fushë, sidomos në Botërorin për Klube, kanë bindur stafin teknik dhe drejtuesit e klubit se lojtari ka ende shumë për të dhënë.
PANORAMASPORT.AL
