
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se Grupi Parlamentar i Partisë Popullore Europiane (PPE) në Këshillin e Europës është njohur me një video tronditëse që sipas tij dëshmon manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri.
Berisha theksoi se java e kaluar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën, pasi përfaqësues të PD-së, mes tyre Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji dhe të tjerë, paraqitën në Parlamentin Europian fakte dhe argumente që, sipas tij, demaskojnë farsën elektorale të zhvilluar në Shqipëri.
“Përfaqësuesit tanë dëshmuan se Edi Rama është armik i lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë, si dhe i vlerave që përfaqësojnë demokracinë europiane,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, videoja e paraqitur nga deputetja Albana Vokshi në grupin parlamentar të PPE-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka shkaktuar tronditje tek audienca. Ai tha se pamjet tregonin qartë pse këto zgjedhje nuk kishin asnjë lidhje me standardet europiane, duke i krahasuar me zgjedhjet në Zimbabve 30 vite më parë.
Berisha njoftoi gjithashtu se gjatë sesionit në Strasburg, pritet të paraqitet raporti i kryetarit të delegacionit të vëzhguesve të Këshillit të Europës, Simone Billi, ku do të detajohen shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara.
“Do të presim miratimin e raportit për të komentuar më tej, por ajo që është e sigurt është se kjo farsë zgjedhore është ekspozuar tashmë para instancave më të larta europiane,” – përfundoi Berisha.