
Partizani është klubi që ka përfaqësuar më tepër Shqipërinë në Europë, nga skuadrat aktuale. Bëhet fjalë për pjesëmarrje në 26 edicione të mëparshme, ndërsa i radhës do të jetë i 27-ti. Partizani ndjek Tiranën e 30 paraqitjeve, që mbeti pa Europë. Më pas vjen Dinamo me 17 dhe Vllaznia me 16. Egnatia, nga klubet e tanishme që do përfaqësojnë Shqipërinë, e ka paraqitjen e tretë. “Panorama Sport” ka vëzhguar sfidat e kaluara të Partizanit në Europë.
“Demat” kanë ruajtur vazhdimësinë, nga sezoni i rikthimit në elitë(2013-‘14). Në anën tjetër duhet përmendur edhe se prej pesë sezonesh janë pjesëmarrës të rregullt në Europë. Të kuqtë do të luajnë në Ligën e Konferencës me koeficientin 6.5, si asnjë klub tjetër i Superiores. Në vëzhgimin e “Panorama Sport” nuk përfshihen kompeticione si Kupa e Ballkanit. Në vitin 1970, Partizani e fitonte duke u bërë klubi i vetëm shqiptar me trofe ndërkombëtar.
FILLIMI- Përfaqësimi i klubeve shqiptare në Europë nisi nga Partizani. Ishte viti 1962, kur të kuqtë sfiduan Norkoping në kompeticion që tashmë është Liga e Kampioneve. Partizani ka gjetur disa emra me peshë, përgjatë 60 viteve. Këln, Torino, Malmo, Sëllik, Austria e Vienës dhe Benfika para viteve ‘90 ndër të tjerë, kujtohen nga tifozët edhe sot e kësaj dite me nostalgji.
Pas viteve ‘90 mund të thuhet se është e njëjta panoramë, vetëm se Partizani ka filluar të kalojë ture, për shkak edhe të ndryshimit të kompeticioneve. Kështu, Fejenord, Fenerbahçe, Ferencvaros dhe Salzburg kanë lënë kujtime te Partizani.
PENGU- Partizani ka një peng të madh, për sa u përket pjesëmarrjeve në Europë. Janë dy raste të viteve të fundit, që futen tek arritje më të madha për kryeqytetasit në Europë. Peng është sezoni 2023-‘24, kur Partizani flirtoi me kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës.
Astana ia doli të shkojë më tej, pasi barazoi 1 me 1 në “Elbasan Arena”, ndërsa kishte fituar 1-0. Në një tjetër edicion, Partizani flirtoi me grupet e Ligës së Europës. Ishte viti 2016, kur lanë Ligën e Europës fillimisht, për të marrë vendin e Skënderbeut të pezulluar në Champions. Pas eliminimit historik të Ferencvaros, Partizani ishte pranë mrekullisë. Vrullin e ndali shorti i vështirë, që më pas i rezervoi Salzburgun dhe Krasnodarin. Partizani e mbylli në “playoff” të Ligës së Europës.
E ARDHMJA- Për shkak edhe të vazhdimësisë së mëparshme, Partizani ka mundësinë që të kalojë sërish ture në Europë. Të vendosur si skuadër favorite në dy turet e para të Ligës së Konferencës, të kuqtë janë njohur me kundërshtarin. Fillimisht do të sfidojnë Kaljun e Estonisë, dhe në rast triumfi ndaj tyre do të përballen me fituesin e çiftit Hegelman-St, Patrik. Në turin e tretë, mundësitë më të mëdha janë që Partizani të renditet te jofavoritët. Megjithatë, i sigurt është fakti se nëse Partizani përfaqëson Shqipërinë sërish në Europë përgjatë edicionit të vitit 2026-‘27, atëherë do të jetë me koeficientin më të lartë të viteve të fundit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL
