
Në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, do të hidhet shorti për përzgjedhjen e trupit gjykues që do të shqyrtojë dy kërkesa të paraqitura nga koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Kërkesat kanë të bëjnë me zgjedhjet e mbajtura më 11 maj 2025 në dy qarqe: Vlorë dhe Berat.
Sipas PD-ASHM, procesi zgjedhor në këto zona nuk ka qenë i rregullt dhe koalicioni kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në të dy qarqet dhe ripërsëritjen e tyre.
Shorti për përcaktimin e gjyqtarëve do të hidhet në orën 10:00 për çështjen e Vlorës, dhe në orën 10:05 për çështjen e Beratit.
Pas kësaj, çështjet do të kalojnë për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor, që funksionon pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
PD-ASHM pretendon se procesi zgjedhor në këto qarqe është shoqëruar me parregullsi që kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Vendimi i Gjykatës pritet të përcaktojë nëse do të ketë apo jo një përsëritje të zgjedhjeve në këto dy zona.