
Drejtori i gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai, i ftuar në një intervistë në FaxNews ka folur me tone kritike mbi sistemin aktual zgjedhor dhe krizën politike në vend.
Ai theksoi se jemi përballë një procesi shumëdimensional që është përgatitur me qëllim nga partitë kryesore politike, duke përsëritur të njëjtin realitet si në zgjedhjet e vitit 2021.
“Ky është një proces shumëdimensional. Përgatitja e këtij realiteti dhe variantit të fundit është dalja nga ky realitet i krijuar nga dy forcat kryesore politike, të cilat gatuan Kodin Zgjedhor,” – deklaroi Musai.
Sipas tij, skena politike shqiptare po shkon drejt një përplasjeje të qëllimshme mes partive, me qëllim ngritjen e konfliktit dhe shmangien e vëmendjes nga problemet reale të vendit.
“Jemi para një fakti që kanë filluar përplasjet me njëri-tjetrin dhe kjo është e gjitha e qëllimshme. Është ngritur konflikti mes partive sepse ata e dinë shumë mirë se si funksionon në Shqipëri,” – u shpreh ai.
Musai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si kodi zgjedhor aktual i përjashton të rinjtë, intelektualët dhe profesionistët nga përfaqësimi në Parlament, duke sjellë në vëmendje rastet e mëparshme të deputetëve me mungesë thelbësore formimi.
“Ky Kod Zgjedhor u mbyll rrugën të rinjve, dijetarëve, historianëve. E mbaj mend mirë Parlamentin – sa injorant kishte që s’dinin të shkruanin dhe të lexonin, por miratonin ligje për jetën tonë,” – tha Musai.
Drejtori i “Telegraf” bëri një krahasim me Parlamentin të viteve 1920, duke theksuar ndryshimin drastik të nivelit të përfaqësimit dhe përgatitjes së ligjvënësve.
“Ne mund të fillojmë që nga Parlamenti i 1920-s – çfarë burrash të mençur ka pasur asokohe. Pse ndodh kjo sot? Sepse atyre s’u duhen njerëz që debatojnë,” – shtoi ai.
Musai theksoi gjithashtu problemet me kontratat e dyshimta të pasurive publike dhe favorizimin e individëve të caktuar në kurriz të qytetarëve, si një nga arsyet kryesore që ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
“Pasuria po ikën me kontrata të fshehta. Kemi favorizim të individëve të caktuar në kurriz të popullit – prandaj shqiptarët po ikin. Gati 2.5 milion shqiptarë janë larguar,” – u shpreh ai.
Në përfundim, Musai nënvizoi se kjo situatë nuk ka kaluar pa vëmendje në arenën ndërkombëtare dhe u shpreh i bindur se lidershipi i korruptuar në Ballkan është pjesë e një diskutimi më të gjerë ndërkombëtar.
“Jam i bindur që situata në Ballkan dhe liderët autokratë e të korruptuar janë në fokus të diskutimeve ndërkombëtare,” – përfundoi Engjëll Musai.