
Pas suksesit të merituar në Kategorinë Superiore, duke dominuar në dy vitet e fundit, të gjithë tani presin nga Egnatia që të bëjë përpara edhe në Europë.
Kampionët shqiptarë nuk e njohin ende kundërshtarin e tyre, që do të kenë përballë këtë vit. Rrogozhinasit shpresojnë që të jetë i kalueshëm, në mënyrë që të pretendojnë të ecin sa më gjatë në këtë kompeticion. Deri më tani, rrogozhinasit kanë luajtur gjashtë përballje në Europë, por pa ia dalë që të kalojnë asnjë tur. Madje, në dy raste janë eliminuar vetëm me penallti, duke treguar se eksperienca ka luajtur një rol vendimtar për të shkuar sa më gjatë në Europë. Këtë vit, kampionët duan që të shkojnë në grupet e Konferencë Ligës, teksa edhe eksperienca nuk i mungon, sepse është viti i tretë radhazi që marrin pjesë në veprimtaritë europiane të klubeve.
EKSPERIENCA E LOJTARËVE Për të konkurruar në kupat e Europës, duhet ndërthurja e eksperiencës së vetë ekipit në këtë kompeticion, por edhe të lojtarëve që luajnë aty. Duket se këtë vit Egnatia i ka të dyja në favorin e saj. Thuhet kështu, sepse rrogozhinasit kanë në gjirin e tyre lojtarë që e njohin këtë kompeticion, sepse kanë luajtur më herët aty. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, janë pikërisht 17 lojtarë nga skuadra aktuale që kanë luajtur të paktën një ndeshje në kupat e Europës dhe madje kanë lënë shenjë edhe me shënimin e golave.
I pari, që i prin për nga eksperienca, është kapiteni Renato Malota, që ka luajtur në plot 36 përballje dhe madje ka shënuar një gol. Megjithatë, për të duhet parë nëse do të vijojë të jetë pjesë e kampionëve apo jo, sepse i ka mbaruar kontrata dhe nuk ka “shenja” rinovimi, por mund të marrë rol drejtues në klub. Pas tij vjen Regi Lushkja me 27 prezenca, ku madje ka shënuar katër gola dhe ka dhënë tri asiste për shokët e skuadrës. Podiumin e mbyll Albano Aleksi me 21 paraqitje në kupat e Europës, ku ka lënë gjurmë me tri asiste. Pas tij më shumë eksperiencë ka Abdurraman Fangaj me 15 ndeshje, Kastriot Selmani i sapoafruar me 14 takime dhe një gol. Eljon Sota me 11 ndeshje dhe Saliou Guindo me 10 takime mbyllin listën e atyre, që kanë mbi supe më shumë se dhjetë përballje në kupat e Europës.
GOLAT EUROPIANË Duket se ka një sintoni të plotë mes golave të skuadrës së Egnatias në Europë dhe golave të lojtarëve të saj në këtë kompeticion. Më konkretisht, të besuarit e Edlir Tetovës kanë shënuar tetë gola dhe kanë pësuar po aq, pa llogaritur këtu penalltitë që i kanë pasur në disfavor. Lojtarët aktualë të Egnatias kanë shënuar shtatë gola të gjithë së bashku dhe kanë dhënë gjithashtu shtatë asiste. Me pak fjalë, edhe golat në Europë nuk mungojnë, me eksperiencën e fituar edhe në këtë aspekt në kampin e kampionëve të Shqipërisë. VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
