
Postuar: Qershor 11, 2025 | 15:51
Sopoti nuk arriti që ta realizojë objektivin madhor as në sezonit e fundit, ndonëse librazhdasit “flirtuan” deri në fund me rikthimin në Kategorinë e Parë. Kështu që edhe në sezonin 2025-2026 librazhdasit do të militojnë në Kategorinë e Dytë, me shpresën që ky do të jetë edicioni i fundit që marrin pjesë n këtë nivel inferior të futbollit shqiptar.
Dështim i fundit ka bërë që te Sopoti i Librazhdit të ketë ndryshime në strukturën drejtuese pas përfundimit të sezonit 2024-2025. Ekipi nuk arriti objektivin për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, lojtarët u larguan skuadra e shpërbërë mbeti pezull deri në organizimin e strukturave për sezonin e ardhshëm. Kryebashkiaku Disha vendosi largimin nga posti të administratorit Ermir Sulollari, vend të cilin ia besoi Agron Gegës.
58-vjeçari Gega ka mbajtur më herët disa poste drejtuese në Bashkinë e Librazhdit, teksa eksperiencën e tij në menaxhim do ta vërë në shërbim të klubit të futbollit të Sopotit. Prezantimi i Gegës u bë ditën e djeshme në ambientet e Bashkisë Librazhd dhe shumë shpejt pritet që administratori i ri t’ia nisë nga punë për të caktuar trajnerin e Sopotit të sezonit të ri në Kategorinë e Dytë. Librazhdasit pritet që ta formojnë thuajse nga e para ekipin për sezonin e ri futbollistik.
LEDION QOSHKU-PANORAMASPORT.AL
