
Stresi ekstrem po i kushton shtrenjtë krijuesit të serialit fenomen “Squid Game”. Regjisori dhe skenaristi Hwang Dong-hyuk ka zbuluar së fundmi se gjatë xhirimeve të sezonit të tretë – që njëherësh do të jetë edhe i fundit – ka humbur dy dhëmbë të tjerë, për shkak të presionit të madh që i ka shoqëruar punën kreative.
Në një intervistë për Entertainment Weekly, Hwang tha me humor të hidhur: “Nuk i kam vendosur ende. Jam duke pritur”.
Kjo nuk është hera e parë që regjisori i serialit të njohur koreano-jugor përjeton pasoja fizike nga puna. Gjatë përgatitjeve për sezonin e parë, ai kishte rrëfyer se kishte humbur tetë dhëmbë si pasojë e stresit kronik.
Megjithatë, pas suksesit global të “Squid Game”, i cili theu rekorde në Netflix dhe fitoi çmime ndërkombëtare prestigjioze, Hwang nuk i ka lënë asgjë rastësisë. Ai ka shkruar dhe drejtuar çdo episod të sezonit të tretë vetë, duke mbajtur kontrollin kreativ të plotë mbi historinë që do të marrë fund më 27 qershor 2025, kur sezoni final do të publikohet.
Ndërkohë që fansat mezi presin përfundimin e sagës, është e qartë se çmimi personal i suksesit për Hwang Dong-hyuk ka qenë i lartë – jo vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht.
Sezoni i tretë pritet të sjellë përballje më dramatike, zgjidhje të mistereve dhe një mbyllje që me shumë gjasë do të lërë gjurmë – ashtu si vetë historia e tij krijuese.