
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dërguar një letër falënderimi drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për përmbushjen e suksesshme të detyrave funksionale nga strukturat e policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur “Shqipëri–Serbi”.
Në letrën e FSHF-së thuhet ndër të tjera:
“Kjo ndeshje përbënte një sfidë të jashtëzakonshme përsa i përket aspektit të sigurisë dhe menaxhimit të flukseve të tifozëve, e cila u përballua me përkushtim dhe kompetencë të lartë nga të gjitha strukturat e angazhuara: Policia e Rendit, Policia Rrugore, forcat RENEA, Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe strukturat inteligjente dhe ato mbështetëse.”
FSHF thekson se falë bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të shkëlqyer mes institucioneve, ndeshja u zhvillua në një atmosferë të sigurt, dinjitoze dhe pa incidente, duke kontribuar drejtpërdrejt në imazhin pozitiv të vendit në sytë e publikut vendas dhe ndërkombëtar.
“Puna juaj dhe e trupave nën drejtimin tuaj garantoi zhvillimin e një eventi të sigurt, dinjitoz dhe të suksesshëm, duke treguar edhe një herë rolin thelbësor të Policisë së Shtetit në mbështetje të ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare,” shkruhet më tej në letrën e falënderimit.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar parametrat e sigurisë në çdo aktivitet sportiv apo kulturor me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, duke qenë një faktor kyç në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.