
Është ende herët të flitet për Kukësin e sezonit të ri, sepse për momentin skuadra ka marrë pushimet. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë më një skuadër, e cila do të luajë thjesht për mbijetesë, por do të pretendojë më shumë sesa kaq.
Të paktën, të sigurojë një vend në fazën e “play off”-it për ngjitjen në Superiore. Gjatë kësaj kohe është folur edhe për një interesim të dy biznesmenëve nga Kukësi, të cilët janë të gatshëm të investojnë në klubin që aktualisht zotërohet në masën 100 % nga Atilio Biba, i cili i mori ato vitin e kaluar nga familja Gjici, që u tërhoq pas më shumë sesa një dekade të mbushur me suksese.
GRUPI – Sido që të vijojë situata për vitin e ardhshëm, një gjë dihet me siguri, që nuk pritet të ketë një revolucion në merkato. Mësohet se do të ruhet grupi kryesor, që kanë mbajtur peshën kryesore në skuadër. Ose siç njihet ndryshe, boshti i saj dhe ata që në njëfarë mënyre shihen si futbollistët që janë të lidhur më ngushtë me këtë fanellë. Për momentin janë tre prej tyre, nga një në çdo rol, lojtarët që kanë luajtur edhe më shumë ndeshje me Kukësin dhe që janë aktualisht pjesë e verilindorëve. Duke filluar nga mbrojtja, me kapitenin Redon Dragoshi, i cili shihet si pjesë e rëndësishme e projektit dhe lojtari me më shumë prezenca me Kukësin.
Ai ka luajtur plot 100 ndeshje me skuadrën verilindore. I dyti është mesfushori Plarent Fejzaj, që iu ribashkua ekipit në merkaton e janarit. Ai ka luajtur në 47 ndeshje në total me blutë dhe gjithashtu shihet si një futbollist, që në Kukës duan ta mbajnë edhe për sezonin e ardhshëm. I treti, që plotëson podiumin për numrin më të madh të ndeshjeve me Kukësin, është sulmuesi Klevis Hilaj me plot 46 ndeshje të zhvilluara. 31 prej të cilave këtë edicion, ku edhe arriti të shënojë tre gola. Me pak fjalë, kuksianët e kanë një bosht ku pritet të mbështeten, tek ata që kanë luajtur më shumë dhe që e ndjejnë më shumë peshën e kësaj fanelle, e cila vetëm pak vite më parë ka qenë fituese e kampionatit dhe mbi të gjitha një skuadër që merrte pjesë vazhdimisht në Kupat e Europës.
LOJTARËT ME MË SHUMË NDESHJE
REDON DRAGOSHI (MBROJTËS) – 100 NDESHJE
PLARENT FEJZAJ (MESFUSHOR) – 47 NDESHJE
KLEVIS HILAJ (SULMUES) – 46 NDESHJE
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
