
Në total, në bashkinë e Kavajës Ilir Meta ka marrë vetëm 113 vota. Në vitin 2021 partia e tij, në atë kohë Lëvizja Socialiste për Integrim kishte 1118 vota në Bashkinë Kavajë, pra një rënie me mbi 90%. Në qytet (Kavajë) kreu i Partisë së Lirisë ka marrë gjithsej 73 vota, njësinë administrative të Golemit vetëm 26 vota, në Helmes 5, Luz i Vogël 7 dhe Synej vetëm 2 vota.
Rezultati i Ilir Metës në Kavajë
Kavajë 73 vota
Golem 26 vota
Luz i Vogël 7 vota
Helmes 5 vota
Synej 2 vota
Me këtë rezultat, kreu i PL renditet i nënti mes 37 kandidatëve të aleancës, ndërsa është lënë me diferencë shumë të madhe pas nga 3 më të votuarit e kësaj bashkie Elton Roshi, që në total numëron 2815 vota, Arnold Kariqi 2133 dhe Loranca Hoxha 1841 vota.
Kandidatët më të votuar në Kavajë
Elton Rroshi 2815
Arnold Kariqi 2133
Loranca Hoxha 1841
Dyshimi i Metës mund të jetë për një tradhti të komisionerëve opozitarë, që potencialisht të kenë çuar votat e tij drejt këtyre kandidatëve më të votuar, apo drejt të tjerëve të listës së hapur. Për këtë arsye, Partia e Lirisë i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe pamje filmike të numërimit të votave preferenciale në këtë bashki.
Bashkë me Metën dyshimin se brenda partisë iu vodhën vota e kanë ngritur edhe disa kandidatë demokratë, duke nisur nga Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha apo Aulon Kalaja e Ilirjana Kuçana. Një pjesë e tyre, pasi u rrëzuan nga KAS, me argumentin se ri-numërimi kërkohet vetëm nëpërmjet Partisë, tashmë e kanë zhvendosur betejën në Kolegjin Zgjedhor.