
2
Tensioni i lartë i gjakut, i njohur ndryshe si hipertensioni, prek rreth një të tretën e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar dhe është një ndër faktorët më të rrezikshëm për sulme në zemër dhe sëmundje të tjera të rënda shëndetësore. Ajo që e bën veçanërisht shqetësuese është fakti se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se vuajnë nga hipertensioni deri kur shfaqen komplikime të mëdha.
Megjithatë, një trend alarmues është rritja e rasteve të hipertensionit tek të rinjtë – një fenomen që lidhet me stilin e jetesës sedentare, ushqimin jo të shëndetshëm dhe gjithashtu stresin kronik.
Profesori Jacob George nga Universiteti i Dundee thekson se numri i pacientëve nën 30 vjeç me hipertension është dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit, ku mbipesha është shkaku kryesor.
Lidhur me këtë dietologia Courtney Kassis ka ndarë disa këshilla praktike dhe natyrale për uljen e presionit të gjakut që kanë treguar efekt të shpejtë tek pacientët e saj. Më poshtë janë disa prej rekomandimeve të saj:
Këshilla natyrale për uljen e presionit të gjakut:
Kufizoni ushqimet e përpunuara dhe sheqernat e shtuara
Ushqimet e përpunuara, pijet e gazuara, bukët e bardha industriale dhe vaktet e gatshme kontribuojnë në rezistencë ndaj insulinës dhe inflamacion të përgjithshëm – faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e presionit të gjakut.
Mbi 50% e ushqimeve që konsumohen përditë në Britani janë ultra-të përpunuara – si drithërat me shumë sheqer, darkat e gatshme, picat e ngrira, biskotat dhe çokollatat.
Hani më shumë ushqime natyrale dhe të plota
Përfshini në dietë perime jo niseshtore (si brokoli, spinaqi, sallatat), fruta me indeks të ulët glicemik (si manaferrat), arra dhe fara.
Këto ushqime janë të pasura me kalium, magnez dhe fibra – përbërës që ndihmojnë në rregullimin e presionit të gjakut.
Ekspertët shëndetësorë të NHS-s në Britani japin rekomandime për të ngrënë të paktën 5 porcione fruta dhe perime çdo ditë. Këto mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.
Pjesa tjetër e dietës duhet të përfshijë karbohidrate të shëndetshme si orizi, patatet dhe makaronat, si dhe proteina nga peshku, mishi pa dhjamë, vezët, dhe produktet e bulmetit.
Zëvendësoni kripën e zakonshme me kripë deti – por me kujdes
Courtney rekomandon përdorimin e kripës së detit në vend të asaj të zakonshme, pasi ajo përmban minerale të dobishme.
Por kujdes: edhe kripa e detit ka përmbajtje të lartë natriumi. Konsumi i tepërt i çdo lloj kripe mund të shkaktojë tension të lartë të gjakut.
Sipas NHS, të rriturit nuk duhet të konsumojnë më shumë se 6 gram kripë në ditë (rreth një lugë çaji në nivel).
#Tre #mënyra #për #të #ulur #tensionin #gjakut
#Tre #mënyra #për #të #ulur #tensionin #gjakut