
Rikthimi në Parlament pas disa javëve të shpërndarë në zonat e tyre elektorale nuk ishte i njëjtë për të gjithë deputetët, sidomos për ata të opozitës, një pjesë e madhe e të cilëve nuk do jenë më në Kuvend.
“Vetëm për diçka më vjen keq, pakti Rama-Berisha i la demokratët rrugëve”, tha Merita Bakiu.
Ndërkaq, Ferdinant Xhaferraj theksoi se: ”Kur unë kisha moralin për ti kërkuar Berishës të bëjë një hap mbrapa, patjetër duhej të jepja shembullin tim dhe e kam deklaruar që skam pasur ambicie”.
Ka nga ata deputetë, të cilët do iu rikthehen profesioneve të vjetra. Njëri prej tyre është, Nasip Naço që do të ushtrojë punën në avokati.
“Unë do të vazhdoj në profesionin tim, çdo gjë ka një fund dhe mendova se ky ishte dhe fundi im politik”, tha ai.
Ndërsa, Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë aktiv në politikë, por pret nga media ta ftojnë në studio si analist.
“Politikës aktive jo se nuk do jem, asaj publike nëse ju më pranoni, po do jem”.
Edona Bilali nga Shkodra tha se nuk ishte penduar për fushatën që bëri, edhe pse krijoi jo pak polemika.
“Ai është një aktor humori. Mendoj se qartësisht në Tiranë nuk jemi akoma gati për këtë lloj humori”, tha ajo.
Demokratja Andia Ulliri, edhe pse nuk nuk fitoi mandatin, nuk e ka humbur shpresën se mund të jetë në Parlament në shtator sërish.
“Duke qenë se çertifikimi i mandateve ende nuk ka përfunduar, besoj që do presim një përgjigjie të fundit edhe nga KQZ për të parë sesi do të procedohet edhe me shpërndarjen e mandateve”.
Asnjë keqardhhe nuk shprehu Monika Kryemadhi, e cila më herët ka thënë se do i përkushtohet kinematografisë.
“Nuk ka asnjëlloj keqardhje sepse karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës as e gjithësecilit, sepse karrigia është e lëvizshme. Filmi është njëra anë e jetës dhe është shumë interesante”, tha Kryemadhi.
Nga Parlamenti aktual 82 deputetë nuk do të jenë në shtator, kur edhe nis sesioni i ri, i dalë nga dalë nga zgjedhjet e 11 majit.