
Qeveria do të marrë një hua nga në vlerën e 76.9 milionë eurove me qëllim digjitalizimin e shërbimeve në 61 bashki të vendit, për të ofruar më shumë transparencë dhe lehtësi për qytetarët.
Projektligji për “ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë në vlerën e 76.9 milionë euro për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit” është depozituar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Por si do të përdoret konkretisht ky financim? Referuar projektligjit në fjalë, objektivi i përgjithshëm i këtij programi është zhvillimi i mëtejshëm i qeverisjes elektronike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve lokale për të rritur cilësinë e tyre; Digjitalizimin e shërbimeve lokale dhe integrimin e tyre në e-albania 2.0; Digjitalizimin e proceseve të brendshme administrative të punës së bashkive; Përmirësimin e sistemit informatik të menaxhimit financiar (AFMIS), përfshirë shtrirjen në nivel vendor; si dhe modernizimin e procedurave të prokurimit për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, në përputhje me ndryshimet në ligjin e prokurimit publik.
Programi synon modernizimin dhe digjitalizimin e administratës publike në nivel vendor, duke lehtësuar ndërveprimin e qytetarëve dhe të bizneseve me bashkitë, si dhe uljen e burokracive dhe kohës së pritjes.
Integrimi i shërbimeve vendore në e-Albania 2.0 do të mundësojë akses të shpejtë e të sigurt për qytetarët dhe bizneset në një gamë të gjerë shërbimesh elektronike vendore, me të njëjtin standard e cilësi si shërbimet elektronike të administratës qendrore.
Do të ngrihet një sistem prokurimi elektronik modern me inteligjencë artificiale, që u përgjigjet nevojave të institucioneve dhe bizneseve në mënyrë më efektive, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes në proceset e prokurimit, kursimin e kohës dhe uljen e kostove financiare për përgatitjen dhe vlerësimin e dokumentacionit, si dhe garantimin e një gare të drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë në tender.
Sipas draftit, integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin elektronik të prokurimit publik do të rrisë transparencën dhe efikasitetin e procedurave të prokurimit, duke automatizuar proceset, duke i përshpejtuar e lehtësuar ato, si dhe duke minimizuar gabimet njerëzore. /SCAN