
“Numri i kopeve është 10 për qind më i vogël krahasuar me vitin e kaluar, që do të thotë se tani kemi rreth 20 mijë krerë dele. Ne si pronarë të kopeve jemi përballur me këto probleme, dhe prodhimi i qumështit këtë vit ka qenë shumë më i ulët. Cilësia e djathit është shumë e mirë, por prodhimi ka rënë në rreth 200 ton djathë të bardhë, që është një ulje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo na shqetëson shumë si blegtorë”, tha Ame
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 maj – Edhe pse rajoni i gjerë i Dibrës ka kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë, nga viti në vit situata në këtë sektor po përkeqësohet. Blegtorët dibranë thonë se, përveç migrimit të familjeve që tradicionalisht janë marrë me blegtori dhe problemit të mungesës së barinjve, kohët e fundit edhe kushtet atmosferike kanë ndikuar negativisht në prodhimin e djathit tradicional të Dibrës. Kushtet atmosferike që mbizotëruan këtë dimër, përfshirë temperaturat e ulëta, kanë dëmtuar ndjeshëm blegtorët dhe prodhimin e qumështit të deles, gjë që ka sjellë një rënie të dukshme të prodhimit të djathit të Dibrës, i cili është shumë i kërkuar në treg. Sipas shoqatës së blegtorëve “Dashi”, ka një ulje drastike të prodhimtarisë.
Blegtori i njohur dibran, Skënder Ame, i cili prej vitesh është në krye të Shoqatës së blegtorëve “Dashi”, për gazetën KOHA tha se këtë vit prodhimin e ka dëmtuar sasia e madhe e reshjeve.
“Kushtet atmosferike ndikuan drejtpërdrejt në uljen e prodhimit të djathit të Dibrës, i cili është i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Ka marrë shumë mirënjohje në vende të ndryshme të botës. Përveç kushteve të pafavorshme, këtë vit në uljen e prodhimit ndikoi edhe rënia e numrit të kopeve të dhenve. Një pjesë e blegtorëve i kanë shitur kopetë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Aktualisht, numri i kopeve është 10 për qind më i vogël krahasuar me vitin e kaluar, që do të thotë se tani kemi rreth 20 mijë krerë dele. Ne si pronarë të kopeve jemi përballur me këto probleme, dhe prodhimi i qumështit këtë vit ka qenë shumë më i ulët. Cilësia e djathit është shumë e mirë, por prodhimi ka rënë në rreth 200 ton djathë të bardhë, që është një ulje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo na shqetëson shumë si blegtorë”, tha Ame.
Ai shtoi se në seancat e shoqatës shpesh diskutohet për situatën e vështirë të blegtorisë në Dibër dhe rajonet përreth, si Zhupa dhe Reka. Sipas tij, dëmet në blegtori janë të mëdha, por megjithatë plasmani i djathit bëhet pa probleme, edhe pse çmimi për një kilogram është 600 denarë. “Djathin e blejnë pronarë hotelesh nga Ohri dhe disa nga Shkupi. Por për të shitur djathin, blegtorët duhet të kenë certifikata përkatëse dhe të kenë kryer analizat e qumështit përpara prodhimit të djathit”, shton Ame.
Nga bisedat me blegtorë të Dibrës, Zhupës dhe Rekës, mësojmë se, edhe pse ka patur rritje të çmimit të djathit, fitimi është minimal dhe mezi mbulohen shpenzimet. Përveç kushteve atmosferike, gjatë tre dekadave të fundit blegtoria është prekur edhe nga migrimi i anëtarëve të familjeve të rajonit. Kjo ka çuar në uljen e numrit të blegtorëve, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e prodhimit të djathit. “Para dy dekadash në rajon prodhoheshin mbi 350 deri në 400 ton djathë. Kjo tregon qartë për rënien drastike të prodhimit. Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër problem serioz. Nuk ka më barinj apo mjeshtër për përgatitjen e djathit. As në Shqipëri nuk po gjejmë më punëtorë, ashtu siç bënim vite më parë. Tani jemi të detyruar të bëhemi vetë barinj”, tha Skënderi, që vjen nga një familje tradicionale blegtorësh.
Ai theksoi gjithashtu se Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë më shumë për blegtorët. “Ky është viti më i dobët për subvencione. Nuk kemi marrë asnjë denarë, edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe kemi shpenzuar shumë për ndërtimin e një mini-qumështoreje për nevojat e fermës. Edhe pse kemi aplikuar dhe i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nuk kemi marrë asnjë mbështetje financiare”, tha ai. Aktualisht, blegtorët dibranë po përgatiten për t’i çuar delet në kullotat verore, të cilat karakterizohen nga një vegjetacion i pasur. Rajoni i Dibrës ofron kullota të shkëlqyera në malet Stogovë, Bistër, Deshat dhe Korab.(koha.mk)