March 14, 2025
1111REDAKT.Kater-dite-pune-peng-i-produktivitetit.jpg


“Është ende herët për hapa të tillë, sepse ka reforma të tjera prioritare që duhet të bëhen në periudhën e ardhshme. Për të zbatuar një javë pune katër ditore, duhet të maksimizoni efikasitetin tuaj për të kapërcyer ditën e pestë pa asnjë pasojë në arritjen e rezultateve. Me një produktivitet kaq të ulët si në Maqedoni, vendosja e javës katër-ditore të punës do të jetë katastrofë”, thotë kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angeloski

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 24 shkurt – Përderisa në Evropë po flitet shumë për futjen graduale dhe të pjesshme të një jave pune katër-ditore, me qëllim të rritjes së produktivitetit – për industrinë përpunuese së Maqedonisë, por edhe sektorët e tjerë paralajmërime të tilla, mbeten vetëm në nivel dëshirash. Mbështetësit e këtij regjimi besojnë se është e ardhmja e produktivitetit të punëtorëve dhe ekuilibri mes jetës private dhe asaj të punës. Ata janë të bindur se kjo do të sillte kënaqësi më të madhe për punonjësit, gjë që do të rriste më tej produktivitetin. Sindikatat në të gjithë Evropën po u bëjnë thirrje qeverive vendore të prezantojnë një javë pune katër-ditore, por vetëm disa vende e kanë konsideruar seriozisht këtë ide. Biznesi beson se Maqedonia si shtet, nuk është gati për shkak të nivelit ende të ulët të produktivitetit edhe pse sindikatat mbeten të përkushtuara ndaj kërkesës për uljen e orëve të punës.

“Është ende herët për hapa të tillë, sepse ka reforma të tjera prioritare që duhet të bëhen në periudhën e ardhshme. Për të zbatuar një javë pune katër ditore, duhet të maksimizoni efikasitetin tuaj për të kapërcyer ditën e pestë pa asnjë pasojë në arritjen e rezultateve. Me një produktivitet kaq të ulët si në Maqedoni, vendosja e javës katër-ditore të punës do të jetë katastrofë”, thotë kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angeloski.

Sindikatat e Maqedonisë janë të prerë se java e shkurtuar e punës është mundësi, dhe jo vetëm dëshirë e punëtorëve. Ata rikujtojnë se gjatë negociatave për Ligjin e ri të Marrëdhënieve të Punës, janë angazhuar edhe për vendosjen e një jave pune 35 orëshe.

“Në disa vende të Evropës dhe botës tashmë janë bërë analiza dhe kërkime që kanë treguar se një javë më e shkurtër e punës ndikon shumë më mirë në motivimin dhe produktivitetin e punëtorëve, e me këtë edhe në fitimet e punëdhënësve. Qëndrimi ynë është që si vend që aspiron anëtarësimin në BE, duhet të avokojmë për reduktimin e javës së punës në shtatë orë pune në ditë ose katër ditë pune në javë dhe jo të kthehemi pas në histori dhe të futim shfrytëzimin e punëtorëve dhe punë mesatarisht prej 12 orë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Ata theksojnë gjithashtu se aplikimi i komunikimeve dhe mundësive elektronike, dixhitalizimi dhe teknikat dhe teknologjitë e reja në proceset e prodhimit rezulton në arritjen e efikasitetit më të madh në punë, duke krijuar në të njëjtën kohë një bazë reale për reduktimin e javës së punës në 35 orë.

Për industrinë përpunuese, paralajmërimet e tilla mbeten vetëm në nivel dëshirash. Edhe reagimet në shtetet e rajonit nuk janë në favor të kësaj ideje evropiane. Bile, biznesi shton se askush nuk është gati të ulë ditët e punës dhe të mbajë pagat. “Ne na mungojnë ditë e lërë më shkurtojmë javën”, thonë nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë. Andaj e vlerësojnë një ide të tillë të parealizueshme për industrinë prodhuese, megjithëse ka degë të caktuara në vend që mund ta bëjnë këtë pa problem.

“Për shembull, në një pjesë të administratës publike mund të bëhen kursime në këtë mënyrë, por në procesin e prodhimit, kjo është e parealizueshme. Nuk mund të ndalojnë makineritë dhe të gjithë procesin, sepse do të ketë më shumë humbje se fitim. Nuk kemi asnjë mënyrë për të rritur produktivitetin aq sa për të bërë të njëjtat të ardhura për më pak kohë pune. Askush nuk mund ta bëjë këtë në fabrika”, shtojnë punëdhënësit.

Për më tepër vlerësojnë se qëllimi si reduktimi i orëve të punës dhe ruajtja e pagave nuk është i mundur nëse nuk rritet produktiviteti, dhe nëse nuk prodhohet e njëjta sasi produktesh në më pak kohë pune.

Në ndërkohë, mbi 17 për qind e evropianëve të punësuar punojnë me kohë të pjesshme. Qeveria spanjolle, në marrëveshje me sindikatat, por pa mbështetjen e shoqatave më të mëdha të punëdhënësve, miratoi një ulje të javës së punës nga 40 në 37.5 orë pa ulur pagat. Këshilli i Ministrave miratoi më 5 shkurt të këtij viti një projektligj që dy sindikatat më të mëdha, CEOE dhe UGT, e cilësuan si një masë historike që do të përfitonte potencialisht 12 milionë punëtorë. Në disa vende të Evropës filluan të aplikojnë orarin e shkurtuar i punës përgjatë javës. Në Britaninë e Madhe, 2900 punonjës u përfshinë në eksperimentin katër-ditor të punës në javë.

Ata u punësuan në sektorin financiar, në sektorin e IT-së dhe të ndërtimit, në shitës me pakicë në internet, në studiot e animacionit, në marketing ose ushqime të gatshme. Sipas studiuesve nga Kembrixhi dhe Bostoni, ditët e tyre të sëmundjes u reduktuan me rreth dy të tretat dhe pothuajse 40 për qind thanë se ndjeheshin më pak të stresuar pas eksperimentit se më parë. Mbi të gjitha, studiuesit vërejtën një rritje mesatare të shitjeve prej rreth 1.4 për qind. Të paktën 56 nga 61 kompanitë pjesëmarrëse deklaruan se dëshironin të ruanin javën katër-ditore edhe pas përfundimit të fazës së testimit.

Belgjika ishte vendi i parë në Evropë që futi në ligjin e saj një javë pune katër-ditore. Në shkurt të vitit 2022, punëtorët belgë kërkuan të drejtën për një javë pune katër-ditore, pa zbritje nga paga e tyre. Ligji i ri hyri në fuqi në nëntor 2023, duke i lejuar punonjësit të vendosin vetë nëse do të punojnë katër apo pesë ditë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se do të punojnë më pak, por thjesht se do të duhet ta “kondensojnë” gjithë punën e tyre në katër ditë në javë.Dëshira ishte që t’u mundësohej qytetarëve të kombinonin më lehtë punën dhe kohën e kaluar me familjen.

Nga ana tjetër, jo të gjithë e përqafuan këtë ide me gjithë zemër. Prandaj, disa punëtorë do të duhet të punojnë më shumë orë për të kryer të gjitha detyrimet e tyre, dhe ata që punojnë me turne nuk kanë mundësi të punojnë një ditë më pak.

Gjermania tashmë mban rekordin në Evropë për javën mesatare më të shkurtër të punës prej 34.2 orësh. Sindikatat kërkojnë ende një ulje shtesë të orarit të punës dhe duket se mund ta arrijnë këtë, megjithëse në atë vend shoqërohet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Sipas një sondazhi të Forsa, 71 për qind e gjermanëve do të donin të punonin një ditë më pak. Shtatëdhjetë e pesë për qind e njerëzve mendojnë se kjo do të ishte e dëshirueshme dhe 59 për qind besojnë se përpjekja është e realizueshme. Së fundmi, më shumë se 200 kompani britanike kanë kaluar përgjithmonë në një javë pune katër-ditore pa ulje page, duke shënuar momentin historik më të fundit në një fushatë për të ndryshuar mënyrën se si punojnë britanikët. Kompanitë variojnë nga agjencitë e marketingut, firmat e IT dhe firmat e konsulencës deri tek ato në sektorin e bamirësisë dhe së bashku ato punësojnë më shumë se 5000 njerëz. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *