CEO i OpenAI Sam Altman e nisi vitin duke thënë se 2025 do të jetë një vit i madh për agjentët AI, mjete të cilat mund të automatizojnë detyrat dhe të kryejnë veprime për llogari të përdoruesve.
Tani për herë të parë jemi duke shikuar një lëvizje nga OpenAI në këtë drejtim. Kompania lançoi ditën e Enjte një version eksperimental të Operator, një agjent AI për përdorim të përgjithshëm që mund të marrë kontrollin e një shfletuesi dhe në mënyrë të pavarur të kryejë veprime të caktuara.
Operator do të jetë i disponueshëm fillimisht për përdoruesit e planit 200 dollarësh ChatGPT Pro në SHBA. Kompania thotë se synon ta sjellë edhe për planet Plus, Team dhe Enterprise.
“Operator do të vijë edhe në vende të tjera të botës së shpejti,” tha CEO Sam Altman. “Për Europën do të duhet pak kohë,” shtoi ai.
Operator premton të automatizojë detyra si rezervim të udhëtimeve dhe akomodimit, të bëjë rezervime restorantesh dhe të blejë online sipas OpenAI. Janë disa kategori veprimesh që përdoruesit mund të zgjedhin nga ndërfaqja e Operator si blerje, dërgesa, restorante dhe udhëtime.
Kur përdoruesit e ChatGPT të aktivizojnë Operator, një dritare e vogël do të shfaqet me një shfletues të dedikuar që agjenti e përdor për të kryer veprimet së bashku me shpjegime për çdo veprim të kryer.
OpenAI thotë se Operator fuqizohet nga një model i quajtur Computer-Using Agent ose CUA. Ky model është trajnuar për të ndërvepruar me uebsajtet në front-end, pra zhvilluesit nuk kanë nevojë të aksesojnë API për të pasur qasje në shërbime të ndryshme. Me pak fjalë CUA përdor butonat, menutë dhe format për të përdorur një uebsajt, në të njëjtën mënyrë siç vepron një përdorues i zakonshëm.
OpenAI thotë se po bashkëpunon me kompani si DoorDash, eBay, Instacart, Priceline, StubHub dhe Uber për të siguruar që Operator të respektojë marrëveshjet e kushteve të shërbimit të këtyre bizneseve.
/PCWorld Albanian