Dibër, 24 Janar – Në Dibër kanë vazhduar ndryshimet kadrovike në institucionet qendrore që veprojnë në nivel lokal. MPB për kryeshef të Policisë Kriminale në Dibër ka emëruar Florian Allajbegun nga Dibra, jurist i diplomuar dhe që ka të dhënë provimin e Jurisprudencës, ndërkohë që pjesë e MPB-së është që nga viti 2008.
Në punën e deritanishme në polici, Allajbegu ka qenë edhe zëvendëskomandant në Stacionin Policor me kompetenca të përgjithshme në Dibër, si dhe inspektor i lartë për kriminalitet të përgjithshëm në zyrën e jashtme për çështje kriminale po në Dibër. Ka marrë pjesë edhe në shumë trajnime, punëtori dhe programe të organizuara nga misioni i OSBE-së , BSP në MPB dhe Bashkimi Europian.
Ndryshime kadrovike ka patur edhe në disa institucione tjera . Drejtor i ri në Qendrën për Kulture është emëruar Ylber Nuredini – aktor dhe regjisor, dhe drejtor i festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”. Shkëlzen Abdullai është emëruar udhëheqës në Njësinë e Fondit për Shëndetësi në Dibër, Jeton Qormemeti – drejtor i ri i Postës në Dibër, Blerta Dika udhëheqëse e njësisë së Ministrisë të Bujqësisë në Dibër, kurse drejtor në Entin për Punësim – Njësia në Dibër, është emëruar Afet Avmedoski.
Degët e koalicionit VLEN dhe VMRO-së në Dibër kanë informuar se ndryshimet kadrovike do të vazhdojnë në institucionet që drejtohen nga Qeveria. (koha.mk)