Me ndryshimet e mëdha teknologjike, kanë ndryshuar edhe format e operimit të mashtruesve. Pre e këtyre mashtrimeve më shumë janë qytetarët që nuk kanë njohuri për rrjetet sociale dhe teknologjinë
Urim HASIPI
Tetovë, 24 janar – Ndonëse shënojnë rënie për nga shifrat, megjithatë mashtrime të ndryshme raportohen në policinë e Tetovës. Në këtë drejtim, banorët e rajonit të Pollogut, assesi të çlirohen nga mashtruesit e shumtë që operojnë në rrjetet sociale. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë vitit 2024 janë evidentuar dhe dorëzuar në gjykatë gjithsej 45 kallëzime penale, prej të cilave 32 mashtrime kanë ndodhur në rajonin e Tetovës dhe 13 në rajonin e Gostivarit. Sipas zëdhënësit të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi, kallëzime penale janë parashtruar ndaj 35 autorëve të njohur dhe 7 të panjohur për veprat penale mashtrim dhe mashtrim kompjuterik.
Sipas tij, gjatë vitit 2023 gjithsej ishin regjistruar 66 mashtrime prej të cilëve në Tetovë 40 dhe 26 në Gostivar. Raportohet se është shënua një rënie e këtyre krimeve për 32 për qind.
“Lidhur me këtë, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë çdo ditë lëshon apel deri tek qytetarët që të kenë kujdes dhe vazhdojmë të apelojmë deri tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur komunikojnë online, me kënd komunikojnë dhe përpara se të hyjnë në ndonjë biznes apo përfitimi të lehtë, paraprakisht të konfirmojnë se me cilin bisedojnë sepse shumë lehtë mund të krijohet një llogari e rrejshme në rrjetet sociale dhe qytetarët lehtë mund të bien pre e mashtrimeve. Kemi edhe mashtrime të ndryshme gjatë shit-blerjeve të ndryshme, që ka rezultuar edhe me zbardhje të këtyre rasteve. SPB-Tetovë, sërish apelon deri tek qytetarët, që të kenë kujdes gjatë komunikimeve të ndryshme dhe të mos komunikojnë me persona të cilët nuk i njohin personalisht. Kohëve të fundit nuk kemi hasur me mashtrime që ishin në trend viteve të mëparshme si organizimi i ahengjeve apo seminareve nëpër objekte hotelerike, të cilët nuk i kemi, por mbeten mashtrimet përmes rrjeteve sociale apo online mashtrime”, informon Rexhepi.
Por, me kalimin e kohës dhe ndryshimeve të mëdha teknologjike, kanë ndryshuar edhe format e operimit të mashtruesve. Pre e këtyre mashtrimeve më shumë janë qytetarët që nuk kanë njohuri për rrjetet sociale dhe teknologjinë. Ndonëse në të kaluarën, mashtruesit vepronin në rrugë, tash ata veprojnë prapa kompjuterëve ose celularëve.
“Është rritur vetëdija e qytetarëve nga përvoja e hidhur e tyre ose të afërmve të tyre, që në të kaluarën ishin në modë, sikurse mashtrimet ndaj më të moshuarve, prishjes së parave, gjatë blerjeve të produkteve të ndryshme në katër sy, gjatë marrëveshjeve të ndryshme shit-blerëse, pra tash me ndryshimin e teknologjisë ka ndryshuar edhe forma e mashtrimeve, ku mashtruesit gjejnë persona që nuk janë njohës të mirë të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, duke dorëzuar të dhënat e tyre personale, llogaritë bankare personave që nuk i njohin fare”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.
Sipas ligjeve në fuqi, kushdo që kryen mashtrim në varësi të vlerës së dëmit që i është shkaktuar, dënohet me burgim nga tre muaj deri në 10 vjet. (koha.mk)