January 26, 2025
1111REDAKT.Gripi-po-zbraz-shkollat.jpg


Në Komunën e Tetovës, rreth 800 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme janë me grip dhe këtë javë nuk kanë shkuar aspak në shkollë

Urim HASIPI

Tetovë, 24 janar – Virusi i gripit sezonal ka zbrazur shkollat e Tetovës. Rreth 800 nxënës nuk janë ulur në bankat shkollore këtë javë shkaku i gripit. Sipas të dhënave të Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, 800 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme janë me grip dhe këtë javë nuk kanë shkuar aspak në shkollë. Bëhet fjalë për 550 nxënës të shkollave fillore dhe 240 nxënës të shkollave të mesme.

“Është një valë virusesh në këtë periudhë dhe me fillimin e vitit shkollor, ne si komunë kemi marrë edhe të dhënat nga shkollat, ku në shkollat fillore mungojnë 550 nxënës, të cilët janë me virozë dhe përafërsisht 240 nxënës në shkollat me mesme që janë me virozë”, tha Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Diku rreth 150 nxënës nuk vijojnë procesin mësimor në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” shkaku i gripit. Nga kjo shkollë thonë se vërehet mungesa e nxënësve në klasa, ndërsa njoftojnë se fëmijët që janë me simptoma të gripit në bashkëpunim me prindërit i lëshojnë në shtëpi.

“Po e vërejmë në klasa që ka mungesë të nxënësve ku pjesa dërmuese janë shkaku gripit që janë.Ne mundohemi në kontakt me prindërit ta japim maksimumin ku evidentojmë nxënësit që kanë mungesa dhe janë të sëmurë, evidentojmë nxënësit që kanë arsye që nuk janë këtë javë në shkollë por evidentojmë edhe rastet që i kemi në klasë”, tha Satki Ismaili, arsimtar. Mjekët theksojnë se më e keqja ende nuk ka ardhur, sepse javën e dytë dhe të tretë pritet që numri i të prekurve me grip të rritet. Mjekët apelojnë deri tek nxënësit që kanë gripit të mos shkojnë në shkolla pasi që aty edhe përhapet më shumë.

“Do të jetë edhe më keq se kjo javë është fillimi dhe virozat merren nga një person në tjetre dhe kështu me radhë , dhe do të vijë shumëzimi dhe më tepër i pacientëve , dhe besoj se nga java tjetër ose java e tretë edhe do të shtohet edhe më tepër numri. Por ta kemi edhe një gjë parasysh, fëmija që është i sëmurë më mirë të qëndrojë në shtëpi, jo të shkoje në shkollë, jo të shkoje në çerdhe”, tha Abdulla Abdullau, mjek pediatër. Nga reparti për sëmundje infektive në Tetovë thonë se brenda 24 orëve në këtë repart paraqiten mbi 100 pacientë, të cilët kanë simptoma të gripit.

“Pas vitit të ri, kemi rritje të pacientëve me infeksione respiratorë të organeve të epërme, dhe flitet kryesisht për viroza dhe besojmë se flitet për infeksione gripore. Sipas raporteve ditore në 24 orë numri i personave që kërkojnë ndihmë është mbi 100 pacientë, por edhe me simptoma tjera. Por nga ky numër mbi 80 për qind janë viroza. Rekomandohet ikje nga vendet e mbyllura me shumë njerëz brenda, sa më tepër ajrosje të ambienteve të ketë ajër të pastër, dhe vitamina e pije të ngrohta më shumë”, tha infektologu Borçe Zafiroski.

Situata aspak më e mirë me gripin sezonal edhe në repartin e fëmijëve. Në këtë repart bëjnë të ditur se gjatë muajit dhjetor dhe në janar, janë kryer mbi dy mijë kontrolle të fëmijëve të cilët kanë kërkuar ndihmë shkaku i përkeqësimit të gjendjes si pasojë e gripit. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *