Me hapjen e kësaj çerdhe, pritet të ulet dukshëm numri i fëmijëve që presin në listë për t’u regjistruar në çerdhe
Urim HASIPI
Tetovë, 22 janar – Prej ditës së mërkurë, 145 fëmijë të Tetovës kanë nisur rrugëtimin e tyre të edukimit në çerdhen e re “Rilindja”, e cila është hapur në mënyrë solemne. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Me këtë rast, ambasadori Rokas tha se kjo ditë është më e lumtura prej se e ka marrë postin e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut.
“Me ndërtimin e kësaj çerdhe, kjo vërtetë simbolizon prioritetin që Bashkimi Evropian dhe të gjithë ne që i japim ardhmërisë së gjeneratave të reja, për shkak se gjeneratat e reja, e formësojnë ardhmërinë jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Bashkimit Evropian, për shkak se neve të gjithë kemi për qëllim që të ndërtojmë një arsim që është më i qëndrueshëm, më gjithpërfshirës, që i jep përkrahje ndërtimit të ardhmërisë së vet fëmijëve duke i fuqizuar ato sepse kjo të thotë ne fuqizojmë evropianët e ardhshëm”, deklaroi ambasadori Rokas.
Ministri Fatmir Limani është shprehur se hapja e çerdhes do të thotë një mundësi për fëmijët tanë që të marrin edukim cilësor parashkollor, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për procesin e tyre të mëtejshëm arsimor.
“Për këtë arsye tregohet kujdes i veçantë që objektet të ndërtohen në përputhje me të gjitha standardet dhe kushtet më moderne si parakusht për edukim cilësor parashkollor. Ndërtimi u financua përmes Programit Vjetor të Veprimit ‘Mbështetja e BE-së për Arsimin, Punësimin dhe Politikën Sociale’ për vitin 2017 me një buxhet total prej rreth 805.000 euro nga të cilat Bashkimi Evropian financon rreth 705.000 euro dhe bashkëfinancimet e shtetit nga buxheti kombëtar rreth 100.000 euro. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është se në kopsht është siguruar punësimi për 29 persona, pa të cilët i njëjti nuk do të mund të funksiononte”, deklaroi ministri Limani.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është shprehur se edukimi i fëmijëve fillon para se ata të lindin, pra me edukimin e prindërve.
“Bëhet fjalë për një projekt që ne e përurojmë me shumë kënaqësi pasi që ne në këtë institucion do të dorëzojmë fëmijët tanë dhe ardhmërinë tonë. Dua të përdorë një thënie se periudha më e mirë për të edukuar një fëmijë është 20 vite para se ai të lind, pra në këtë rast, kur kemi prindër të edukuar edhe ne do të kemi fëmijë të edukuar”, tha Kasami.
Drejtoresha e çerdhes Fatlinda Jaja, tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore dhe atyre lokale. “Ky objekt i ri do të shërbejë për 145 fëmijë, duke ofruar një ambient të sigurt, të ngrohtë dhe të përshtatshëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre. Realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithëve, duke përfshirë institucionet qendrore dhe ato lokale . Përmes këtij investimi, ne jo vetëm që forcojmë sistemin e edukimit parashkollor, por japim një mesazh të qartë për rëndësinë që i japim edukimit si themel i një të ardhmeje të qëndrueshme për shoqërinë tonë”, tha Jaja.
Me hapjen e kësaj çerdhe pritet që të ulet dukshëm numri i fëmijëve që presin në listë për t`u regjistruar në çerdhe. (koha.mk)