Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ia ka konfirmuar KOHËS se janë duke mbledhur informata nëse anëtarët e KPM-së kanë kryer vepër penale të premten kur ndryshuan rregulloren e punës të KPM-së për ta mundësuar zgjedhjen e kryetarit të ri, Besnik Berisha pa i skaduar mandati kryetarit paraprak.
“Jemi në fazën e shqyrtimit. Sepse ne e kemi një prokuror i cili merret me informatat publike që dalin dhe prokurori i njëjtë, i cili është i caktuar prej kryeprokurorit, prej meje në fakt, ai merret, e shqyrton informatën nëse ka elemente të veprës penale apo jo. Njëkohësisht jemi duke e vlerësuar nëse është në kompetencë tonë apo në kompetencën e Prokurorisë Speciale…Vetëm jemi në fazën e mbledhjes së informatave dhe vlerësimit të tyre në aspektin ligjor. Nuk kemi hetim të filluar dhe të shqyrtimit të informatave të cilat kanë dalë në publik”, tha kryeprokurori Gashi.
Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur të Mediave të premten u ndryshua Rregullorja e Punës, duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri. Në nenin e shtuar thuhet se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të KPM-së mund të bëhet “brenda një muaji para skadimit të mandatit të kryetarit përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për tu siguruar që KPM nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht pa nënkryetar në rastet kur mund të mbetet pa kuorum”. Pas shtimit të këtij neni, u zgjodh kryetari i ri i KPM-së, Besnik Berisha, tre ditë para skadimit të kryetarit Jeton Mehmeti.
Shoqata e Mediave Transmetuese, AMPEK, e ka kritikuar formën e ndryshimit të kësaj rregulloreje, duke thënë se kjo ngre shqetësime madhore si për nga transparenca, ashtu edhe për nga ligjshmëria.
“Ndryshimi i rregullores së Komisionit të Pavarur për Media (KPM) me një procedurë të përshpejtuar dhe pa paralajmërim paraprak ngre shqetësime të mëdha për transparencën dhe legalitetin e procesit. Ky veprim, që shënon një devijim nga praktikat e zakonshme dhe të njohura, i hap rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së pa respektuar procedurat standarde, duke krijuar dyshime mbi motivet dhe integritetin e këtij procesi”, ka thënë Ardita Zejnullahu, drejtoreshë e AMPEK të premten.
Edhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile përveç se e kanë kundërshtuar edhe kanë paralajmëruar se do të nisin procedura ligjore lidhur me zhvillimet e fundit në KPM. E zyrtarët e KPM-së të premten thanë se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregulloret dhe se modelin për rregulloren e ndryshuar e morën nga Gjykata Kushtetuese.
The post Prokuroria mbledh informata për mbledhjen ku u zgjodh kryetari i ri i KPM-së appeared first on KosovaNews.