Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër tha sot se masakra e Reçakut ishte krim i tmerrshëm që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë
Haradinaj në 26-vjetorin e masakrës në Reçak tha se mbetet plagë e thellë në historinë tonë, dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë.
“Asnjëherë nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi – për Reçakun dhe të gjitha masakrat në Kosovë!
Masakra e Reçakut mbetet plagë e thellë në historinë tonë, dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë. Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me respekt të thellë para sakrificës sublime të 45 civilëve të pafajshëm, të cilët u bënë viktima të barbarisë në zemër të Evropës.
Ky krim i tmerrshëm, që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Sot, duke nderuar viktimat e Reçakut dhe të gjithë dëshmorët e kombit, jemi më të vendosur se kurrë që Kosova të ecë përpara e sigurt, direkt në NATO, krah aleatëve tanë strategjikë të udhëhequr nga Amerika.
I përhershëm kujtimi për të rënët!”, shkruan ai.