Inflacioni ka ardhur në rritje për të dytin muaj radhazi. Autoritetet futën shporta me qindra artikuj ushqimor me çmime të shënuara për të ulur presionin, por me atë të fundit të Vitit të Ri, gjërat pak u përmirësuan
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 janar – Rritje të inflacionit në muajin dhjetor 2024 ka shënuar statistika zyrtare. Edhe pse e matur me shportë të zvogëluar si kosto të Vitit të Ri, megjithatë çmimet në muajin e fundit të vitit të kaluar kanë kapërcyer pritshmëritë. Me fjalë tjera, çmimet shkojnë lartë dhe njëkohësisht edhe inflacioni rritet. Në dhjetor, ai është rritur me 4.4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Çmimet me pakicë janë sërish më të larta me 4.3 për qind. Inflacioni ka ardhur në rritje për të dytin muaj radhazi. Autoritetet futën edhe shporta me qindra artikuj ushqimor me çmime të shënuara për të ulur presionin, por me atë të fundit të Vitit të ri, gjërat pak u përmirësuan. Disa çmime janë ulur, por produkte të tjera janë rritur ndjeshëm. Shporta nisi më 15 dhjetor deri më 15 janar, dhe me të qytetarët prisnin uljen e çmimeve.
Çmimet e shërbimeve hotelerike në dhjetor 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, janë rritur me 6.1 për qind. Krahasuar me nëntorin 2024, megjithatë, çmimet u rritën me 0,6 për qind , njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Në nivel të tërë vitit po shënohen shtrenjtime të shumta. Të dhënat e statistikës udhëzojnë se në vitin e kaluara, rritja më e lartë e çmimeve ka pasur tek uji mineral, lëngjet dhe pijet joalkoolike me 15.8 për qind, pasuar nga perimet, të çilat tani shiten më shtrenjtë me 12.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Vaji dhe yndyrat janë shtrenjtuar me 11.7 për qind, kafeja, çaji dhe kakaoja, janë 11.5 për qind më të shtrenjta dhe qumështi, djathi dhe vezët shiten me çmime për 7.5 për qind më të larta se në vitin 2023. Mishi shënon shtrenjtim prej 4 për qind për një vit. Sindikatat kanë paralajmëruar disa herë për sjellje jo të padrejtë nga tregtarët.
Qytetarët vazhdimisht thonë në anketa se çdo gjë është shumë e shtrenjtë. Të njëjtën gjë kanë përsëritur edhe para festave. Por autoritetet përsërisin çdo ditë se po monitorojnë sjelljen e prodhuesve, tregtarëve dhe furnitorëve për të parë nëse do të ketë nevojë për ngrirje të çmimeve dhe marzheve.
Masat nuk janë në diskutim, janë tregtarët, thotë Marija Zarezankova-Potevska, profesoreshë e ekonomisë. “Është e vështirë të kontrollosh tregtarët. Edhe sikur të kishte kontrolle më të mëdha, kjo nuk do të ishte e mundur në nivelin e gjithë vendit me kaq pak inspektorë tregu. Mendoj se masat e reja nuk do të japin ndonjë rezultat domethënës, ashtu siç nuk kanë dhënë asnjë deri tani. Është qesharake të pakësohen këto shporta, ndërkohë që varfëria po rritet”, thotë ajo. Nga Sindikatat thonë se në praktikë është treguar se tregtarët kanë kontribuar në varfërimin shtesë të qytetarëve dhe punëtorëve dhe se tezat për rritjen e inflacionit për shkak të rritjes së pagave po bie .
“Fitimet e paarsyeshme që kanë bërë tregtarët në vitin e kaluar dhe për vitin 2023 tregojnë se të gjithë janë pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe punëtorëve duke përfituar nga vakumi mes masave apo duke anashkaluar ligjin për praktikat e padrejta tregtare. Pra ajo që ne theksuam ishte se çmimet po rriten në mënyrë të pajustifikueshme”, thekson presidenti i LSM-së, Slobodan Trendafilov.
Për më tepër nuk mban arsyetimi kryesor se çmimet dhe inflacioni po rriten për shkak të rritjes së pagave, dhe kjo nuk është e vërtetë. Pagat nuk u rritën me 30 për qind, ndërsa çmimet dhe “maskat” e tregtarëve ranë”, shton ai. Ndërsa qytetarët janë në kërkim të mënyrave për të përballuar kostot në rritje, Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut siguron se inflacioni do të ngadalësohet në periudhën e ardhshme. “Vitin e ardhshëm pritet që inflacioni mesatar të bjerë në 2,5 për qind, dhe në terma afatgjatë në një mesatare historike prej 2 për qind”, theksojnë nga Banka Popullore. Por për shumë, këto janë vetëm statistika. Realiteti është ndryshe dhe jeta po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Me futjen e masave të reja, siç janë shportat e festave, do t’i mbetet Qeverisë që të ofrojë lehtësime afatshkurtra, por efekti real do të varet sërish nga qëndrueshmëria në zbatimin e tyre dhe përgjegjësia e shitësve.
Megjithatë ekonomistët thonë se inflacioni në një pjesë të madhe është importuar nga jashtë së bashku me energjinë dhe prodhimet, ndërsa apelojnë për lehtësimin e punës së prodhuesve vendor të ushqimit me masa fiskale, si dhe lehtësime të tjera për të pasur ushqim më të lirë nga prodhimtaria vendore. (koha.mk)