Para ndeshjes me Borusia M’Gladbah të shtunën (11 janar, ora 18:30), trajneri Kompani ka vendime të vështira për të marrë. Disa lojtarë të lënduar më parë janë rikthyer tashmë në stërvitje, duke e lënë belgun të llastuar për zgjedhje në pozicione përkatëse. Këto pesë personalitete janë veçanërisht në fokus.
LEON GORETZKA Dikur lojtar i rregullt në skuadrën bavareze, Leon Gorecka duhet të luftojë për çdo minutë të kohës së lojës këto ditë. 29-vjeçari në fakt nuk është zgjedhja e parë në mesfushën qendrore, por falë mungesave të Aleksandar Pavloviç dhe Zhoao Palhinja në gjysmën e parë të sezonit, ai mori kohë të rregullt për të luajtur. “Jam i lumtur për historinë e Leon”, tha Kompani në fund të nëntorit. “Ai u soll në një mënyrë shumë profesionale dhe tregoi se ai ka cilësitë”. Megjithatë, ka të ngjarë që Gorecka fillimisht të kthehet në rreshtin e dytë sapo trajneri të mund të shfrytëzojë përsëri potencialin e plotë.
JOSHUA KIMISH Në fushë, Joshua Kimish nuk lë vend për dyshime, por kapiteni i kombëtares gjermane është në fokus me situatën e kontratës . Letra e punës e 29-vjeçarit skadon në verë dhe lojtari dhe klubi nuk kanë arritur ende një marrëveshje. Përveç perspektivës sportive, Kimish do të merret gjithashtu me vlerësimin e duhur (financiar) në diskutime.
JOSIP STANISIÇ Në fakt, Josip Stanisiç u rikthye nga huazimi i tij te Bajer Leverkusen në verë, por për shkak të një ligamenti të këputur në gjuri, mbrojtësi fleksibël humbi të gjithë pjesën e mbetur të vitit dhe kroati do të humbasë edhe ndeshjen kundër M’Gladbach. Pas një tendosjeje në kofshë, ai fillimisht duhet të kthehet në 100 për qind. Pozicioni startues është premtues, të paktën në javët e ardhshme, sepse ka nevojë në krahun e djathtë. Sasha Boei aktualisht mungon për shkak të një dëmtimi të ligamentit. Konrad Laimer ka bërë mirë kohët e fundit si mbrojtës i djathtë. Stanisiç mund të luajë një rol vendimtar në gjysmën e dytë të sezonit. Një avantazh tjetër i kroatit është se ai mund të inkuadrohet edhe në mbrojtjen qendrore.
XHAMAL MUSIALA Ngjashëm me Kimish, shumë fansa të Musiala presin gjithashtu me shpresë lajme të mira për kontratën. “Artisti” i driblimit në Mynih është lojtari më i vlefshëm në skuadrën e rekordmenëve gjermanë (vlera e tregut, 140 milionë euro), por kontrata e tij skadon në verën e vitit 2026. Bajern dëshiron urgjentisht të vazhdojë bashkëpunimin, por ende nuk është arritur një marrëveshje. Maks Eberl kohët e fundit njoftoi se “koha për vendime kishte ardhur”. Kjo do të thotë se diskutimet me Musialën ka të ngjarë të intensifikohen në javët në vijim. Musiala fillimisht do të humbasë ndeshjen kundër M’Gladbah, sepse i riu u ngadalësua nga një infeksion i ngjashëm me gripin dhe ai nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në stërvitjen e ekipit këtë javë.
LEROI SANE Situata me Leroi Sane është përafërsisht e kundërta. Vetë lojtari do të dëshironte të qëndronte në Mynih, por drejtuesit e Bajernit janë skeptikë për zgjatjen e kontratës së tij përtej 2025. Sipas raportimeve të mediave, pikat kryesore problematike janë performanca jokonsistente e Sanes në fushë dhe paga e tij e lartë. Sipas “Kicker”, lojtari i kombëtares gjermane madje do të ishte i gatshëm të pranonte shkurtime të konsiderueshme pagash. Nëse Sane dëshiron të bindë përgjegjësit, cilësia e paraqitjeve të tij do të jetë vendimtare në gjysmën e dytë të sezonit.
SAIMRI MBËRSI-PANORAMASPORT.AL